Venera: Rrugëtimi im në “The Voice”

28/01/2013 17:55

Ditën e premte, Venera Lumani u shndërrua në fituesen e dytë të “Voice of Albania”, duke u konfirmuar si zëri më i mirë i këtij edicioni të një prej spektakleve më të ndjekur në të gjithë trevat shqiptare, transmetuar në ekranin e “Top-Channel”.

21-vjeçarja nga Struga, ende “e dehur” nga suksesi i saj, mbërriti në studion e “Pasdite” në “Top-Channel” për të ndarë me publikun emocionet e saj të veçanta, për të treguar rrugëtimin e saj në
The Voice” e planet e ardhshme, tashmë si “zëri më i mirë shqiptar” për një vit me radhë.

Pasdite në TCH – Mirësjevjen në këtë studio, së bashku me trofeun e ëndërruar nga shumë të rinj, por që të përket vetëm ty tashmë.

Venera Lumani – Ka dy ditë që trofeu u bë i imi. Kam një simpati të veçantë për këtë trofe, edhe pse që në natën finale, preferova dhe doja që ta ndaja me të gjithë fianlistët e tjerë dhe ata që kanë marrë pjesë në “Voice”. Unë jam fituesja, por të gjithë në finale ishim të tillë.

Pasdite në TCH – Simpati, famë, sukses, cfarë mund të kërkojë tjetër një 21-vjeçare?

Venera – Jam shumë kërkuese nga vetja, autokritike dhe dua të nxjerr në pah më të mirën, por tani kam këtë titull që nuk është pak dhe dua ta shijoj atë. Emocionohem shumë kur dëgjoj të më konsiderojnë si zërin më të mirë të shqiptarëve. Për mua është diçka e bukur, është mburrje dhe  mbase duhet të krenohem pak me veten.

Pasdite në TCH – Venera, ti je studente në vitin e fundit të studimeve për kanto. Megjithatë, deri tani keni kënduar këngët e dikujt tjetër. Mendoni se do të jetë shumë ndryshe kur të këndoni këngët tuaja?

Venera – Këto janë spektakle, janë formate që na japin bazë, na rrisin dhe na përgatisin për skena më të mëdha. Unë tani jam fituesja dhe më pëlqen dhe ia rekomandoj talenteve që ta provojnë këtë formë, është shtysë dhe bazament shumë i fortë.

Pasdite në TCH – Të pamë të vije shumëngjyrëshe, ka dallim mes performancave të tua? Interpretimi juaj dukej gjithmonë i kristaltë, por a kalove ndonjë problem në prapaskenë, me kordat vokale, gripin që është nëpër këmbë apo të tjera si këto?

Venera – Jo, unë jam shumë strikte në këto gjëra, mbaj një regjim, kujdesem për zërin. Është Zoti që ma ka falur, ndaj është gjynah mos ta ruaj. U mundova të ruaj zërin, duke pirë vazhdimisht çaj, aq sa sot ishim me Jozin dhe Mjellmën për të ngrënë akullore dhe i fryja akullores duke menduar se po pija çaj (qesh).

Pasdite në TCH – Përmende Jozefinën, një konkurrente serioze për titullin. Si e përjetuat rivalitetn mes jush?

Venera – Me Jozëfinën, Mjellmën dhe çdo konkurrent, në këto katër muaj që jetojmë, flejmë, hamë bashkë dher kemi krijuar një familje aq të bukur, të mirë dhe të dashur brenda “Top Channel”, që kur erdhi puna e garimit se kishim ndienjen e garës se mbi të gjitha jemi njerëz. E rithemi se jemi këngëtarë dhe artistë që duhet të anashkalojmë pjesën e konkurimit. Jozefina mbetet një zë shumë i bukur dhe që premton shumë.

Pasdite në TCH – Tashmë që përfundoi “Voice”, a mund të thoni arsyet tuaja të plota për zgjedhjen e Sidritit?

Venera – Unë jam ndierë shumë e lumtur kur pashë që të katërt u kthyen për mua në momentin fillestar. Ishte një moment që unë fillova të pyes veten dhe të kuptoja që diçka vleja, sepse ata janë profesionistë dhe nuk gabojnë në zgjedhjen e tyre. Trajnerët na dhanë shumë. Unë kam pasur angazhimet e mia në Shkup dhe në shkollë dhe nuk e kisha parë seritë e mëparshme, prandaj nuk është e vërtetë që mendova se skuadra e Sidritit ishte më e lehtë. Kështu që nuk e bëra atë llogari. Profesor Sidi është bërë një njeri shumë i dashur tashmë për mua, e dua dhe e respektoj shumë.

Pasdite në TCH – Struga ka qenë e gjitha në festë për suksesin tënd.

Venera – Nuk kam pasur mundësi të kthehem prej angazhimeve në Tiranë, por shumë shpejt do të kthehem atje. Struganët gjithmonë kanë ditur të jenë miqësor dhe të dashur, kam marrë shumë telefonata urimi, por këtë herë sikur e kanë ekzagjeruar pak (qesh).

Pasdite në TCH – Ti ia dedikove një personi suksesin tënd.

Venera – Ishte xhaxhai im i ndjerë i pari dhe i vetmi që mbase edhe më ka dëgjuar duke kënduar fillimisht si fëmijë e vogël. Gjithmonë më shtynte, më sajonte skena nëpër shtëpi dhe më thonte këndo tani.

Pasdite në TCH – Tashmë, si person publik, edhe jeta juaj private ka një interes për publikun. Si do t’i përgjigjeshit pyetjes për jetën tuaj sentimentale?

Venera – Ma kanë bërë edhe herë të tjera këtë pyetje, por nuk di çtë them tani. Unë për momentin nuk ndiej ndonjë gjë të veçantë për dikë. Mbase kam ndierë më përpara, por nuk e di nëse është dashuri. Të dashurosh është gjë e bukur besoj unë dhe në momentin kur do të vijë kjo ndienjë e re tek unë, do e pres me duart hapur.

Pasditë në TCH – Një vit me kurorën e “The Voice” në Maqedoni. A do të ishit e gatshme të këndonit në maqedonisht?

Venera – Arti nuk njeh limite gjuhësh, kufij apo të tjera si këto. Unë mund të këndoj në çdo gjuhë. Përshembull, përpara 2-3 javësh kam dëgjuar për herë të parë një këngë kineze dhe më bëri të qaja, pa kuptuar asnjë fjalë, por nëse depërton tek publiku arrin të krijosh këtë emocion.

Pasdite në TCH – Ku e sheh veten pas dhjetë vitesh?

Venera – Si vajzë e re që jam, edhe unë e bëj këtë pyetje. Nuk e di, por pas dhjetë vitesh do të doja, përse jo të kisha familjen time, një karrierë dhe një punë të mirë.

Venera, krenaria e një qyteti

Qyteti i Strugës ka festuar për disa ditë dhe netë me radhë fitoren e Venerës.

21-vjeçarja, e cila me talentin e saj triumfoi këtë edicion të “The Voice of Albania”, tashmë është një prej emrave më të lakuar në qytetin shqiptar.

Në bare, lokale, rrugë dhe kudo të gjithë e thonë me krenari se Venera e meritonte fitoren.

Edhe ata që nuk e njohin personalisht flasin me krenari për vajzën e cila solli një fitore të madhe në këtë qytet të bukur.

Venera, ashtu sikundër tregojnë të gjithë që e vogël është një këngëtare e talentuar ndaj edhe vullneti dhe talenti i saj e kanë sjellë deri këtu.

Me emocion është përcjellë edhe në momentin kur transmetohej në “Top-Channel” mbrëmja finale.

Kanë qenë pub-et e mbushura plot ato të cilat janë përballur me brohorimat e furishme të të rinjve struganë, të cilët njëzëri kanë bërtitur bravo Venera.

Interesi ka qenë tepër i madh madje edhe sot teksa ulesh në ambientet më të frekuentuara të Strugës, në tavolinat e ndryshme diskutohet për 21-vjeçaren, e cila me vokalin e saj nderoi qytetin.

Askush nuk i a mohon meritat dhe aq më pak askush nuk diskuton karrierën muzikore që Venera do të ketë pas këtij eventi ku kori suksesin dhe fitoren.

Në çdo rrugë dhe cep të qytetit ka vërshuar krenaria për struganen brilante, e cila i solli këtij qyteti të butë dhe të heshtur një fitore tjetër.

Ka pasur nga ata që emocionin e mbrëmjes finale e kanë ndjekur direkt dhe e kanë ndarë me ne. Mes tyre ka qenë edhe daja i Venerës, Ibrahimi, i cili ka erdhur enkas nga Zvicra për t’i dhënë mbështetje mbesës së tij.

Në Strugë, mezi po presin që vajza e tyre të vijë për të festuar, ashtu siç i ka hije kësaj treve shqiptare një fitore e madhe.

Top Channel