BERZH: Rritja ekonomike 1.8%

21/01/2013 23:00

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim deklaroi se ekonomia shqiptare u rrit me 1.8 për qind në vitin 2012, duke korrigjuar pozitivsht vlerësimin e mëparashëm.

Në tetor BERZH kishte deklaruar se rritja ekonomike për vitin 2012 do të ishte rreth 0.6 për qind, por ecuria e mirë e prodhimit në tremujorin e tretë ka ndryshuar edhe vlerësimin përfundimtar.

“Ekonomia shqiptare u ngadalësua dukshëm në gjashtëmujorin e parë të vitit, por rritja u përshpejtua në tremujorin e tretë si rezultat i gjallërimit në sektorin e manifakturës dhe industrive nxjerrëse”, vëren BERZH në raport.

Megjithatë ky institucion parlajmëron se lidhjet e ngushta të Shqipërisë me Italinë dhe Greqinë do të vazhdojnë të shërbejnë si një faktor frenues mbi rritjen ekonomike edhe gjatë vitit të ardhshëm, ndërsa borxhi i lartë publik nuk lejon hapësira për stimul fiskal.

Ekonomia shqiptare ka vijuar të mbajë një normë më të lartë rritje se ekonomitë e tjera të rajonit duke u renditur e dyta pas Kosovës, ku prodhimi kombëtar u rrit me 2.5 për qind. Vendet e tjera janë rikthyer në reçesion ose kanë shënuar norma më të ulëta rritjeje të ekonomisë së tyre.

Por edhe pse vijon të mbetet ndër vendet me rritjen më pozitive në rajon, sërish viti 2012 konfimohet për Shqipërinë më i vështiri që nga 1997, kur për herë të parë rritja e prodhimit bie poshtë shifrës 2 për qind.

Top Channel