PS shtrin degët në Greqi

17/01/2013 01:15

Partia Socialiste ka vijuar shtrirjen e strukturave të saj organizative në radhët e emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Pak ditë më parë është krijuar edhe dega e kësaj force politike në qytetin e Trikallas. Në mbledhjen e zhvilluar me këtë rast ka marrë pjesë edhe sekretari për Rininë dhe Emigracionin, Erjon Veliaj.

“Sot, 100 vjet më pas, te kjo rilindje e re, unë besoj se njerëzit më të qartë e më të kthjellët janë ata që jetojnë jashtë Shqipërisë. Kjo, sepse njerizit që jeton jashtë Shqipërisë janë ata që jetojnë me forcat e veta e djersën e vet, jo me teserën e partisë, sepse këtu në Greqi, tesera e një partie shqiptare nuk pi ujë. Atje në Amerikë ku unë kam studiuar tesera e një partie shqiptare nuk përkthehet në nota. Në vende të tjera të Europës, tesera e një partie shqiptare nuk përkthehet në vende pune. Kjo do të thotë se, në qoftë se ne sot flasim për një rilindje shqiptare, kjo duhet të fillojë me kontributin e atyre që jetojnë jashtë, pra me kontributin tuaj”, tha Veliaj.

Ndërkohë, aktiviteti i Sekretariatit të Rinisë dhe Emigracionit në PS ka vijuar në qytetin Kalabaka, në Greqinë qendrore. Duke iu përgjigjur kërkesës së bërë nga përfaqësues të shkollës shqipe të këtij qyteti, Sekretariati i Emigracionit ndërmori një iniciativë për të mbledhur libra dhe materiale mësimore për këtë shkollë. Përmes kontributeve vullnetare, Sekretariati mblodhi librat e nevojshëm të gjuhës shqipe për nxënësit e klasës së 5-të, 6-të, 7-të, 8-të dhe 9-të.

“Në vend që të bëjmë garë se kush bërtet më shumë për atdheun dhe kush është nacionalist më i madh, besoj se kemi mundësi që të bëjmë disa gjëra të vogla, të cilat nuk ka nevojë t’i bëjë shteti, por që mund t’i bëjmë të gjithë ne për njëri-tjetrin. Ne zgjodhëm që dhurata juaj për Vitin e Ri, të ishin librat për gjuhën shqipe”, përfundoi Veliaj.

Top Channel