“Edipi Mbret” në Teatrin Kombëtar

17/01/2013 15:35

Pjesa e njohur e Sofokliut, “Edipi Mbret”, do të sjellë së bashku Teatrin Kombëtar të Shqipërisë dhe atë të Kosovës në një bashkëpunim i cili ka kohë që diskutohet dhe mendohet të pasohet nga të tjerë.

Për realizimin e shfaqjes, e cila është në hapat e saj të para, ndër 74 aktorët që kanë qenë pjesë e audicionit, është përzgjedhur një kast prej 16 aktorësh nga Shqipëria. Ndër ta gjenden disa prej artistëve më të njohur në vend, si Yllka Mujo, Ema Andrea, Neritan Licaj dhe Helidon Fino në rolin e Edipit.   

Stafi realizues vjen nga Teatri Kombëtar i Kosovës, nën drejtimin e regjisorit Ilir Bokshi: “Ideja është që të gjithë së bashku të krijojmë një grup që të bazohet tek teksti i Sofokliut, por zbërthimi i situatave do të bëhet sipas ditëve të sotme.”

Për pjesët muzikore, një element i rëndësishëm i veprës, do të kujdeset kompozitori Trimor Dhomi. Kostumografia do të realizohet nga Vesa Kraja, ndërsa skenograf do të jetë Petrit Bakalli. Shfaqja do të jetë edhe premiera e parë e sezonit artistik 2013 në Teatrin Kombëtar.

Top Channel