Bllokohet drogë në Ankona

17/01/2013 01:18

Nuk ndalet trafikimi i lëndëve narkotike nga Shqipëria. Pas kapjes së sasive të mëdha në Bari, sekuestrimi i radhës është kryer në portin e Ankonës.

302,5 kilogramë marijuanë, me një vlerë në treg prej rreth 3 milionë euro, janë bllokuar në një kamion me targa shqiptare, që vinte nga Greqia.

Drejtuesi i automjetit dhe bashkëshortja e tij, të dy shtetas shqiptarë, janë arrestuar me akuzën e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe ndodhen të mbyllur në burgun Montacuto.

Ata janë tradhëtuar nga nervozizmi i shfaqur gjatë kontrollit të kamionit, i ngarkuar me arka bosh, të cilat do të mbusheshin me fruta dhe perime. Një ngarkesë e pazakontë kjo, që çoi forcat e rendit në një kontroll më të imët me ndihmën edhe të qenëve antidrogë.

Droga ishte e ndarë në 280 pako dhe ishte e fshehur në një taban të dyfishtë të krijuar në kamion. Hetimet, në nivel ndërkombëtar, tani synojnë të zbulojnë se ku do të dorëzohej kjo sasi droge.

Top Channel