Mediu: Zgjedhjet ndajnë rrugën për në BE

10/01/2013 19:50

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deklaroi se shqiptarët do të vendosin në zgjedhjet e 23 qershorit për rrugën e vetme, atë drejt bashkimit Europian.

Dhe këtë, sipas Mediut e siguron vetëm koalicioni i djathtë.

”Duke konceptuar këtë si një sfidë në dëm të interesit të tyre, socialistët nuk votuan tre ligjet e rëndësishme që do t’i jepnin një status tjetër jo Saliut dhe mazhorancës, jo PD-së, PR apo LSI-së, por një shans të gjithë qytetarëve të Shqipërisë për të gëzuar një marrëdhënie tjetër me BE-në”, deklaroi Mediu.

”Prandaj, këtu duhet të punojë dhe gjykimi i shqiptarëve dhe zgjedhjet edhe një herë do të vendosin se e gjithë Shqipëria ka një rrugë të vetme dhe kjo është rruga europiane. Prandaj, ndërgjegjësimi i këtij qëllimi europian, është mbrojtja e çështjes sonë kombëtare, rruga jonë drejt BE-së, mundësia e bashkimit të shqipëtarëve në Europën e bashkuar dhe kjo është ajo që duhet të kërkojmë të gjithë së bashku”.

Top Channel