Berlusconi, 36 mln euro për t’u divorcuar

28/12/2012 16:10

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berlusconi, duhet t’i paguajë ish-bashkëshortes së tij 36 milionë euro, gjatë vitit të ardhshëm, si dëmshpërblim për finalizimin e divorcit të tij.

Në bazë të marrëveshjes, Berlusconi do të mbajë vilën me vlerë 100 milionë dollarëshe ku ai dhe Veronica Lario jetonin së bashku me tre fëmijët, por do të duhet t’i paguajë asaj tre milionë euro në vit.

Lario dhe Berlusconi jetonin të ndarë që prej vitit 2009, kur ish-kryeministri u pa në festën e 18-vjetorit të një modeleje.

Sipas “Corriere della Sera”, 56-vjeçarja Lario kishte kërkuar një shumë midis 45-50 milionë eurosh, por gjithsesi, ajo u shpreh e kënaqur nga marrëveshja.

76-vjeçari Berlusconi i pati ofruar asaj fillimisht një marrëveshjes prej 5 milionë eurosh.

Sipas revistës së specializuar “Forbes”, pasuria e Berlusconit llogaritet në rreth 5 miliardë euro.

Berlusconi, njëkohësisht pronar i klubit të Milanit, u njoh me Larion në prapaskenën e një teatri në vitin 1980, kur shkoi ta takonte pasi e pa në skenë. Ata u martuan në vitin 1990.

Top Channel