Krishti lindi! Për besimtarët katolikë, mesnata që shënon fillimin e ditës së 25 dhjetorit është dita më e shënuar në besimin e krishterë, lindja e birit të perëndisë.

Mijëra besimtarë katolikë janë mbledhur në mesnatë në katedralen e Shën Palit në kryeqytet, për të kremtuar këtë moment të rëndësishëm në kalendarin kristian.

Katedralja e Shën Palit në Tiranë ishte e tejmbushur me njerëz. Dhe po aq jashtë saj kanë pritur në radhë për të bërë ritualin e kësaj dite, atë të lutjes, ndezjes së qiririt dhe faljes.

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga arkipeshkvi katolik Imzot Rrok Mirdita, i cili uroi besimtatrët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe afrimitet me njëri-tjetrin, duke vlerësuar Krishtlindjen si ngjarjen më të rëndësishme.

Krishtlindjet kanë si simbolikë të tyre pemën e Krishtlindjes, shkëmbimin e dhuratave dhe familjen e bashkuar. Krishtlindja është festa, në të cilën të krishterët urojnë, më shumë se kurrë, paqe e dashuri në botë.

Ortodoksët festojnë në Katedralen e Re

Besimtarët ortodoksë kanë kremtuar lindjen e Krishtit mëngjesin e së martës  në katedralen “Ngjallja e Krishtit” në kryeqytet. Ata kanë ndjekur meshën e drejtuar nga kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, nga Hirësia e tij Anastas si dhe i janë lutur Zotit t’i prijë ata në jetë.

Të gjithë e dimë se kushtet e sotme në vendin tonë janë të vështira theksoi kryepiskopi Anastas, por të mos lejojmë shkurajimin të pakësojë fuqinë e shpirtit, të paralizojë forcat tona.

Për besimtarët ortodoksë, lindja e Krishtit është një moment shumë i rëndësishëm, ndaj në këtë ditë urojnë të gjithë të krishterët për mirësi dhe paqe duke kryer të gjithë ritet fetare të besimit të tyre.

Kjo ditë Krishtlindjesh mbedh të krishterët sëbashku në familjet e tyre në drekën tradicionale.

Top Channel