Kartolinat, mbretëreshat e urimit…dikur

25/12/2012 00:00

Dikur ishin mbreteresha të urimit. Kartolinat ishin mënyra e vetme për të përcjellë mesazhet e përzemërta të fundvitit.

Turra-vrapi ndalte në kinkaleritë që ofronin kartolina nga më të ndryshmet që nga peisazhet e natyrës të shoqëruara me borë, pamjet e qyteteve apo kostumeve kombëtare e deri tek kombinatet që tregonin madhështinë e sistemit të kohës.

Shkruajtja e urimit ishte një kënaqësi më vete. Madje kishte dhe vargje të krijuara posaçërisht për kartolinë.

Fryu era që përjashta
Tundi perdet e mëndafshta
Mos kujto se të harrova
kartolinën ta dërgova

Pjatat me meze
Gotat me raki
Ju uroj nga zemra
Gëzuar Vitin e Ri

Por sot koha e mbretërimit të kartolinave duket se ka perënduar. “Kurorën” e kanë marrë e-mailet apo mesazhet telefonike të cilat e çojnë urimin më shpejt madje në orën kulminante të ndërrimit të viteve.

Edhe nëpër librari apo kioska ku ofrohen kartolinat, shitjet kanë rënë. “Nuk është si në kohën tonë kur ne dërgonim shumë kartolina. Tani jo, nuk para dërgojnë. Kartolinat më tepër i blejnë turistët të grupmoshës 50 e lart. Rinia nuk i blen”, thotë një shitëse kinkalerie.

Edhe ata që dikur shkëmbenin vetëm kartolina, janë bërë fansa të mënyrës teknologjike të të uruarit. Megjithatë, kartolinat nuk kanë pushuar ende së ekzistuari. Made në librari të veçanta, ato gëzojnë madhështinë e fronit të dikurshëm.

“Këto kartolinat i kam blerë për njerëzit më të dashur”, thotë një blerës. Zakonisht i blej për njerëzit e familjes….i blej për motrën se është mënyrë më e vecantë”, thotë një tjetër.

Pavarësisht nga shkëlqimi dhe rënia e kartolinave, dicka mbetet e njëjtë që nga kohët e lavdishme e deri në ditët e venitjes: Për shumë njerëz kartolinat mbeten etaloni i matjes së vlerësimit. Ata që marrin mundimin të të çojnë një kartolinë, janë njerëz që të vlerësojnë vërtet.

Top Channel