Zuckerberg, 500 mln dollarë për bamirësi

19/12/2012 19:50

Drejtori i përgjithshëm i “Facebook”, Mark Zuckerberg, dhuroi pothuajse 500 milionë dollarë për bamirësi, duke u shndërruar në rekordmenin e shumës më të lartë të dhënë nga një person i vetëm për këtë qëllim në 2012-n.

Zuckerberg lajmëroi të mërkurën për këtë “dhuratë” nëpërmjet rrjetit të tij shoqëror.

28-vjeçari i dhuroi fondacionin “Silicon Valley Community Foundation” 18 milionë aksione të “Facebook”, me një vlerë të përgjithshme prej 498.8 milionë dollarë.

Duke falenderuar mirëbërësin, fondacioni theksoi se këto para do të përdoren për të financuar projekte në arsim dhe shëndetësi.

Kjo nuk është hera e parë që Zuckerberg bën dhurime bujare për bamirësi, pasi në vitin 2010, ai i dhuroi 100 milionë dollarë sistemit të shkollave publike në Nju Xhersi.

Me një pasuri prej 9,4 miliardë dollarësh, themeluesi i rrjetit shoqëror më popullor në botë është zotuar se do të dhurojë më shumë se gjysmën e pasurisë që ai dhe bashkëshortja e tij do të krijojnë për qëllime bamirësie.

Top Channel