Mungesa e energjisë elektrike nxorri në protestë banorët e Laprakës në Tiranë, të cilët prej dy ditësh janë në errësirë të plotë.
Banorët bllokuan rrugën në mbrëmje, ndërsa i vunë edhe flakën kazanëve të plehrave në shenjë proteste. Situata u bë kaotike pasi qindra automjete u bllokuan në trafik, ndërsa policia ndërhyri për të liruar rrugën.
Nga dita e djeshme mijëra banorë në Tiranë kanë mbetur pa energji elektrike për shkak se një kompani ndërtimi e kontraktuar nga bashkia e Tiranës për sistemimin e kanalizimeve ka prerë kabllot elektrikë në Laprakë.
Pa energji elektrike kanë mbetur edhe banorët në rrugën Babë Rexha, pallatët e Izraelit pranë fushës së aviacionit, zona pranë ish-shkollës së partisë, etj.
Kompania CEZ Shpërndarje njofton se këto zona do të vazhdojnë të mbeten pa energji elktrike për shkak se defekti është i rëndë.
Ndërkohë, në vendin ku është dëmtuar kablli thonë se ende nuk gjendet një pjesë e tij. Banorët akuzojnë punonjësit e CEZ se u kanë kërkuar banorëve të blejnë kabëll e më pas të nisin riparimin.
Nuk është hera e parë që banorët mbeten pa energji elektrike apo pa ujë të pijshëm pasi firmat e ndërtimit kur punojnë nuk kanë në dispozicion hartën me shtrirjen e kabllove elektrike, telefonike, apo të tubacioneve të ujit.
Top Channel