Nëna: Djalin e mbajnë të mbyllur dhe të izoluar

13/12/2012 00:00

“Julianin e mbajnë të mbyllur dhe të izoluar”. Kështu deklaron nëna e
10-vjeçarit të zhdukur prej pasdites së 30 nëntorit në zonën e Laprakës
në Tiranë. Luze Çela thotë me bindje për një rrëmbim të mundshëm të
djalit të saj të mitur, më të voglit prej katër fëmijëve, dy vajza dhe
dy djem.

Megjithatë nuk i humb shpresat, teksa u bën thirrje të gjithë personave që e kanë parë, të lajmërojnë në numrat e kontaktit që ka vënë në dispozicion familja pas zhdukjes. Ajo thotë se ka dëgjuar shumë fjalë se e kanë parë këtu dhe atje, por kur kanë kaluar 13 ditë nga zhdukja, i vogli i saj ende nuk është “bërë i gjallë”. Në lidhje me pretendimet e policisë se Juliani është zhdukur nga banesa me dëshirë, ndoshta nga një zënkë me prindërit pas një qortimi, ajo thotë se “nuk është e vërtetë”.

Më fliste shpesh

Duke e pasur “djalin e pleqërisë”, Luzja thotë se me Julin fliste shpesh dhe i tregonte për të gjitha ndodhitë e ditës, madje edhe pas hatërmbetjeve me familjarët e tjerë, të cilët i kishte më të mëdhenj. 10-vjeçari ishte më i vogli i shtëpisë. Vëllanë e kishte rreth 10 vite më të madh, ndërsa motrat edhe më të mëdha. Nëna e tij thotë se Juli i tregonte për gjithçka që bënte gjatë ditës. “Sa më shumë kalojnë ditët aq më shumë bindemi që djalin na e mbajnë të mbyllur dhe të izoluar, pasi të paktën me mua ai ka qenë shumë i hapur dhe më tregonte çdo gjë. Nuk do të mundej kurrsesi të mos kontaktonte kaq gjatë”, thotë Luzja, e cila pohon edhe kërkimet ditore. “Ne kemi shkuar të kontaktojmë dhe me Zanën, pronaren e qendrës së internetit ku qëndronte zakonisht Juliani, e cila ka thënë se e ka parë atë në datën 30 nëntor”, vijon ajo. Ndërkohë, burimet policore thanë se pista kryesore që po ndiqet nga uniformat blu është ajo e vetëlargimit të të miturit, ndoshta për shkak të ndonjë momenti të reagimit të prindërve ndaj disa gjesteve apo personave me të cilët shoqërohej i biri. Gjithsesi, burimet thanë se të gjitha pistat e tjera janë të mundshme dhe ndodhen në tryezën e grupit hetimor.

Asnjë telefonatë

Sot mbushen 13 ditë nga zhdukja misterioze e Julian Çelës, djalit të nëndrejtorit të antiterrorit në SHISH, Skënder Çela. Familja nuk ka asnjë gjurmë, ndërsa mbetet ende në pritje të një lajmi. Të afërmit vazhdojnë kërkimet, ndërsa jashtë kamerave shprehen se askush s’i ka telefonuar në tri numrat e kontaktit.

Grupi hetimor, i ngritur për rastin e humbjes së Julianit, që prej 30 nëntorit, është ende duke punuar dhe pse ka administruar dëshmi të shumta, të cilat kanë hedhur dritë se me kë shoqërohej Juliani, ku qëndronte dhe ç’sjellje kishte. Dëshmitarja kryesore e policisë është Roza, pronarja e qendrës së internetit, e cila e kishte parë për herë të fundit Julin në datë 30 nëntor. “Julin e thirrën jashtë, por se kush, nuk e vura re. Hyri pa shok e doli pa shok, doli vetëm. Dikush e thirri dhe e linte të kuptohej se e njihte edhe më parë”, ka pohuar kjo dëshmitare. Ndërkohë, familjarët e 10-vjeçarit Julian Çela, vunë në dispozicion një shpërblim për këdo që jep informacion lidhur me djalin e tyre. Ata thanë se janë të gatshëm të ofrojnë një shumë të konsiderueshme parash për çdo person që mund të ketë çfarëdo informacioni që do të çonte në gjetjen e Julianit. Për këtë arsye, familjarët e tij kanë vënë në dispozicion tri numra telefoni: 0696503814, 0694321796, 0685804565 dhe luten që çdo e dhënë apo informacion të përcillet në këta numra.

Gazeta “Shqip”

Top Channel