Rikthehet Nirvana, McCartney zëvendëson Cobain

12/12/2012 00:00

Pjesëtarët e mbetur të grupit Nirvana do të luajnë për herë të parë së bashku pas 20 viteve, në një koncert bamirësie për viktimat e uraganit Sandy që goditi Bregun Lindor të Shteteve të Bashkuara në fillim të muajit të kaluar.

Bandës së famshme u mungon Kurt Cobain që u vetëvra në vitin 1994, ndaj për të zëvendësuar atë është zgjedhur Paul McCartney.

Ish-i i Beatles, këngëtari i Foo Fighters Dave Grohl dhe basisti Krist Novoselic kanë punuar fshehurazi në një studio muzikore në Nju Jork ditët e fundit për t’u përgatitur për koncertin e tyre.

“Unë as që e kisha idenë se kush ishin ata, tregon McCartney. Ata po thonin se sa bukur ishte të riktheheshin sërish duke punuar së bashku. Unë u çudita dhe u thashë: ju nuk keni luajtur muzikë së bashku për gjithë këto vite?!. Dhe dikush më tha; kjo është Nirvana dhe ti je Kurt. S’mund ta besoja këtë”, deklaroi McCartney.

Në koncertin që do të mbahet më 12.12.12 në Nju Jork do të këndojë edhe një tjetër bandë legjendare e muzikës rock, Rolling Stones.

Top Channel