Monumenti i Azemit në Qytetin Studenti

08/12/2012 19:50

Në ditën dhe në vendin ku nisi lëvizja e studentëve të dhjetorit ‘90, një monument i Azem Hajdarit do të dominojë Qytetin Studenti, si simbol i lirisë dhe demokracisë në Shqipëri.

Për kryeministrin Berisha, ajo ditë e para 22 vjetëve, kur njohu për herë të parë Azem Hajdarin si udhëheqës të lëvizjes studentore kundër regjimit komunsit, nuk kishte shumë ndryshim nga ky 8 dhjetor, një ditë e ftohtë dhe me shi, por që u shndërrua në ditën që do të shënonte kthesën historike për rrëzimin e diktaturës dhe vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri.

“Kjo shtatore këtu, e cila mund të vendosej në çdo bulevard apo shesh të kryeqytetit, qëndron më madhërishëm se kudo tjetër, në nderimin më të madh të veprës suaj të pavdekshme, në vendin që për ne shqiptarët që erdhëm në vitet ‘90, si njerëzit më të shtypur të planetit, ky shesh, ky qytet do të mbetet për jetën tonë djepi ku lindën liritë tona njerëzore dhe individuale, ku rilindi dinjiteti ynë njerëzor. Ndaj dhe i dashur Azem, nuk mund të kishte vend tjetër më të gjetur, më të rëndësishëm, sesa ky shesh, ky qytet, ku ti nise një nga betejat më të mëdha e më të vështira në historinë e lirisë së shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha, i cili nuk mundi t’i fshihte dot emocionet, kur u luajtën këngët kushtuar Azem Hajdarit, këngë të cilat kanë shoqëruar me qindra protesta të Partisë Demokratike në opozitë, u pohoi studentëve se Azem Hajdari do të mbetet një nga figurat më frymëzuese në karrierën e tij politike.

Top Channel