Të dhënat e fundit zyrtare të Institutit të Statistikave dhe Bankës së
Shqipërisë tregojnë se për herë të parë, që nga viti 2000 ekonomia po
përballet me rënie pagash.

Sipas INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit paga mesatare në Shqipëri ra me 8.4 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë një vit më parë. Rënia ka ardhur e gjitha nga sektori privat.

Në shtet sipas INSTAT, pagat reale u rritën me 5.3 për qind. Tkurrja e fortë në sektorin privat është një përpjekje e bizneseve për të shkurtuar kostot në një periudhë të vështirë ekonomike. Por rënia e tyre godet direkt të ardhurat e familjarëve.

Sipas Bankës Botërore, pagat janë burimi më i rëndësishëm i të ardhurave të një familje në shqipëri me mbi 40 për qind të totalit. Por pagat nuk janë zëri i vetëm në të ardhurat familjare që po tkurret. Edhe disa burime të tjera të rëndësishme si dërgesat e emigrantëve apo dhe fitimet e biznesit të vogël kanë rënë, që do të thotë se kriza po i shtrëngon efektet në buxhetet e familjeve shqiptare.

Banka e Shqipërisë vëren se treguesi i të ardhurave të disponueshme, i cili tenton të masë të ardhurat neto të familjeve duke i zhveshur nga taksat që ato paguajnë është duke u ngadalësuar nga viti në vit. Kjo tendencë është sinjal jo optimist për ekonominë, duke zbehur shpresat për rigjallërimin e konsumit dhe rritjes ekonomike.

FRD: Keqësohen tregtues ekonomikë

Fryma e Re Demokratike deklaroi sot se janë përkeqësuar treguesit ekonomikë të vendit me rritjen e borxhit dhe uljen e pagave. Sipas kësaj partie sot rreth 40% e popullsisë jetojnë me dy dollarë të ardhura në ditë për frymë.

“Treguesit e përgjithshëm makro-ekonomikë janë të përkeqësuar. Ka një përkeqësim të bilancit të pagesave të vendit me një rritje në deficit nga viti 2007 në fund të vitit 2011, në masën 320 milionë euro, ku vetë fillimi i deficitit tregtar në këtë periudhë kohore është rreth 140 milionë euro. Borxhi publik është rritur në përqindje në raport me parashikimet e ulëta të planifikuara në arkëtimet në buxhet në vitin 2013 në krahasim me vitin 2012. Gjatë dy mandateve të qeverisjes së maxhorancës së sotme ka një papunësi të lartë. Pavarësisht nga deklarata zyrtare e Qeverisë se kjo popullsi është rreth 13.2 për qind, në fakt ajo shumë më e lartë nga kjo shifër. Shifrat e larta të papunësisë vërtetohen edhe nga gjendja mbi 40 për qind të popullsisë në kushtet minimale të jetesës, më të ardhura më pak se dy euro në ditë”, tha Alfre Cako, drejtor i politikave ekonomike në FRD.
 

Top Channel