Një “Pasdite” me Kapedanin

30/11/2012 18:45

“Unë për femrat kam një respekt të jashtëzakonshëm. I dua shpirtërisht dhe fizikisht edhe pse personazhi i Kapedanit më ka dhënë tjetër imazh tek njerëzit.”

Këto janë fjalët e aktorit Albert Vërria, i cili theksoi në studion e emisionit “Pasdite në Top Channel” se ndjen kënaqësi të madhe kur ende pas 40 vitesh, Kapedani është shumë i dashur për shqiptarët.

“Artisti kur merr një rol, nuk mendon si do të pritet. Unë ndjej kënaqësi të madhe që pas 40 vitesh Kapedani njihet nga të gjitha moshat dhe është i dashur për të gjithë. Personazhi është krejt ndryshe nga ç’jam unë në të vërtetë”, tregon aktori nga Vlora.

Albert Vërria numëron plot 110 role në karrierë, kryesisht me personazhe negativë: “Nuk i kam marrë me dëshirë këto role, por regjizorët më kanë parë si më të përshtatshëm për to. Edhe skenaristët kanë meritë që rolet e mia mbahen mend edhe sot. Nga ana ime ia kam bërë hyzmetin të gjitha roleve, edhe atyre të vogla. Jam munduar që asnjë rol të mos ngjajë me tjetrin.”

Në fund, Vërria tregon se dy djemtë e tij nuk kanë pasur talentin për tu bërë aktorë dhe se ai nuk i ka futur në Akademi edhe pse mundësitë për ta bërë këtë gjë i ka pasur.

“Nuk i kam shtyrë për tu bërë aktorë sepse jam i sigurtë që do më thonin “pse na fute në këtë rrugë”, deklaroi aktori i famshëm.

Top Channel