Çelet panairi “Klik Ekspo Group”

27/11/2012 00:05

Në ceremoninë e çeljes së panairit të përvitshëm të Klik Ekspo Group, kryeministri Sali Berisha premtoi mbështetje për biznesin, duke u garantuar zgjerimin e lirisë së tregut.

“Kjo krizë shumëdimensionale ka si zgjidhjen më të sigurt rritjen e konkurueshmërisë, çka do të thotë zhdukjen e barrierave burokratike, por edhe zvogëlimin e ngarkesës fiskale për bizneset”, tha Berisha.

Kryeministri u ndal edhe te turizmi, veçanërisht ai malor, duke premtuar miratimin e ligjit “tetë vjet pa asnjë taksë” për çdo investitor.

“Malet e Shqipërisë janë malet më të virgjëra të Europës dhe qeveria shqiptare do të vendosë ligjin ‘8 vjet pa asnjë taksë’, për çdo investitor në turizmin malor të vendit”, shtoi Berisha.

Presidenti i “Klik Ekspo Group”, Luan Muhametaj, i akordoi kryeministrit medaljen “Shqiponja e Artë”, me motivacionin “Figurë themeltare e historisë së demokracisë dhe promotor i projekteve madhore të zhvillimit të vendit, në 100-vjeçarin e parë të shtetit shqiptar”.

Panairi, i cili këtë vit vjen edhe si nderim ndaj kombit shqiptar në 100-vjetorin e Pavarësisë, do të qëndrojë i hapur deri në datën 30 nëntor dhe ka sjellë në Tiranë rreth 100 kompani vendase, të rajonit dhe nga mbarë bota, që kanë ekspozuar produktet e tyre.

Top Channel