Qeveria: Borxhi pa kufi

26/11/2012 00:00

Deputetët e maxhorancës miratuan në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë
mes debatesh të ashpra me opozitën një ligj që heq tavanin e borxhit
publik prej 60 për qind pa vendosur një kufi të ri për Qeverinë.

“Për vitin 2013 Qeveria është e gjykimit se politika e duhur fiskale do të ishte një politikë më ekspansioniste, duke synuar stimulimin e rritjes ekonomike. Materializimi i kësaj politike fiskale çon në një borxh publik për vitin 2013 në masën prej 62.6 për qind të produktit bruto, duke sjelle si domosdoshmëri amendimin e ligjit për sistemin buxhetor”, tha Nezir Hajdedaj, zevendesminister i Financave.

“Borxhi publik për banorët sot që flasim ka shkuar nga 250 mijë lekë për cdo banor të republikës së Shqipërisë që ishte në 2008, në 316.400 lekë. Në vitin 2008 keni patur një pagesë borxhi për banorë 12 248 lekë, sot keni 22 642 lekë për banor pagesë borxhi. Këto janë shifra të frikshme”, tha deputetja socialiste, Mimi Kodheli.

Por përveçse heq kufirin ligjor të borxhit, drafti përfshin edhe një tjetër nen të shumëdebatuar. Atë që i jep të drejtën qeverisë të mos përfshijë garancitë e KESH-it në shifrën e borxhit publik.

“Në ligjin e buxehtit vjetor ne cdo vit kemi një nen që përcaktojmë rritjen e kufirit dhe kufirin total. Në fakt në këtë ligj është bërë një përjashtim , për herë të parë dhe është bërë përjashtimi vetëm për garancitë që do të jepen për furnizimin me energji elektrike për të garantuar furnizimin me energji elektrike është një e panjohur për ne, nuk mund të bënim një përcaktim në vlerë dhe pikërisht për këtë arsye është lënë me ligj autorizimi i qeverisë vetëm të”, tha drejtoresha e Buxhetit, Mimoza Dhëmbi.

Ligji i heq Kuvendit kontrollin mbi borxhin publik duke i dhënë të drejtën Qeverisë, ta rrisë atë përtej shifrës së parashikuar në buxhet, në kushtet e një viti zgjedhor.

“Në asnjë mënyrë mos e krijoni këtë precedentë në menaxhimin e financave publike të vendit tuaj”, tha deputeti socialist Arben Malaj.

Deputeti socialist Erjon Braçe thotë se ligji nxjerr borxhin jashtë kontrollit duke rrezikuar stabilitetin financiar të Shqipërisë.

“Të miratojmë këtu një ligj pa asnjë lloj tavani, kur jam i bindur që kjo krizë energjetike që kemi do të japë efektet dhe për nja dy-tre vite të tjera, për të mos thënë që mund të hamë një penalitet akoma edhe më të rëndë se sa niveli i sotëm i borxheve, më duket e paarsyeshme. Mendohuni edhe njëherë para se ta miratoni këtë ligj sepse jam i bindur që do të shkojmë përtej 70”, tha Braçë.

“Borxhi po paraqitet si gogol, por në fakt ekonomia shqiptare ka patur edhe vite të tjera që e ka patur nivelin 62.5 përqind në vitin 2002, kur ka qenë edhe në kushte më të vështira se sa sot”, tha kryetari i Komisionit Edmond Spaho.

Në fund të këtij vitit qeveria llogarit se borxhi shkon në 60.5 për qind të Prodhimit Kombëtar, ndërsa vitin tjetër në buxhet është parashikuar që shifra të arrijë në 62.5%

Top Channel