“Gërdeci”, gjyqi ndaj Mediut

23/11/2012 00:00

Ish-shefi i Forcave të Armatosura, Luan Hoxha, zëvendësi i tij Agim Lala, ish-gjenerali i Forcave të Bashkuara Shpëtim Spahiu, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Adriatik Mema dhe deri tek ish-drejtues të uzinave të demontimit në Poliçan dhe Gramsh, kërkohen si dëshmitarë në proçesin penal ku nën akuzë ndodhet ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Lista prej 52 emrash e depozituar në Gjykatën e Lartë nga avokatët e dy paditësve Roxhers Durda dhe Alketa Harizaj ka gjithashtu edhe emra të ish-punëtorëve në fabrikën e demontimit në Gërdec, shumica e të cilëve janë banues në Marqinet të Vorës.

Gjatë proçesit ku ish-ministri akuzohet për plagosje të rëndë nga pakujdesia, avokatët mbrojtës deklaruan sërish mosekzistencë absolute të lidhjes shkakësore mes çdo veprimi apo mosveprimi që i atribuohet Mediut dhe pasojës që ka mbërritur tek dëmtimi i dy akuzuesve.

Avokatët Ardian Visha dhe Petrit Serjani i thanë gjykatës se kërkojnë pushimin e gjykimit në ngarkim të ish-ministrit të Mborjtjes, Fatmir Mediu, të filluar me kërkesën e Roxhers Durdës dhe Alketa Hazizajt, pasi sipas tyre ish-ministri nuk e ka kryer këtë vepër penale.

Avokatët shtuan se, përsa i përket ngjarjes së Gërdecit po synohet mbajtja gjallë e një lufte politike nëpërmjet mekanizmit të drejtësisë penale ndaj të akuzuarit.

Me kërkesë të palës paditëse, në seancën e radhës që do të jetë më 10 dhjetor u vendos të tërhiqen provat nga fashikulli gjyqësor i dosjes së mëparshme “Gërdeci”, çështje gjyqësore e pushuar pothuajse tre vjet më parë në Gjykatën e Lartë.

Top Channel