Edhe CIA “fshikullon” regjisoren Bigelow

22/11/2012 21:00

Vazhdon të fshikullohet filmi mbi zbulimin dhe ekzekutimin e sheikut të terrorit, që mban firmën e regjisores Kathryn Bigelow.

Pas tre senatorëve amerikanë, kritikat e radhës i ka lëshuar shefi në detyrë i CIA-s, Mark Morell. Qëndrimin e tij shefi i shërbimeve të inteligjencës e ka bërë në faqen zyrtare të internetit të Langley-t.

“Ideja që teknikat e ashpra të marrjes në pyetje, si waterboarding, kanë qenë çelësi për sulmin ku u vra Bin Laden, është një farsë”, ka thënë Morell.

“Normalisht nuk do të kisha bërë komente për një film të Hollivudit, por mendoj se është e rëndësishme të trajtosh këtë film, që flet për një nga evenimentet më të rëndësishme të historisë sonë”, thotë Morell.

“Ky film, që tregon gjuetinë për sheikun e terrorit përmes punës 10-vjeçare të burrave dhe grave të agjencisë sonë, merr përsipër liçenca artistike, edhe pse prezantohet si i realizuar me shumë kujdes”, shprehet më tej shefi i CIA-s.

Morell dëshiron që spektatorët të dinë se “Zero Dark Thirty” është një dramatizim dhe jo një pasqyrim real i fakteve të ndodhura. “Edhe gjuetia për Bin Laden ka qenë fryt i punës së qindra agjentëve dhe jo të fare pak atyre që tregohen në film”, thotë më tej ai.

Morell është një nga dy kandidatët në vijën e parë për postin e kreut të CIA-s, i lënë bosh pas dorëheqjes së David Petraeus. Kandidati tjetër është Michael Vickers, nënsekretar në Pentagon për shërbimet sekrete, që dyshohet se ka qenë dhe spiuni i regjisores Bogelow për “Zero Dark Thirty”.

Top Channel