15.7% e buxhetit për borxhet

22/11/2012 00:00

Në vitin 2013, Qeveria shqiptare do të paguajë në total 641 milionë dollarë për të shërbyer borxhin e saj.
Pjesa
dërrmuese e faturës përbëhet nga interesat, ndërsa një pjesë më e vogël
ka të bëjë me shlyrjet e kredive që Shqipëria ka marrë vitet e kaluara.
Krahasuar me këtë vit fatura për shërbimin e borxhit do të rëndohet në
2013-n me 8.4 miliardë lekë, kur vetë buxheti në total rritet me 12
miliardë lekë.

Kjo do të thotë se 70 për qind e gjithë rritjes në vlerë të buxhetit nuk do të shkojë për të mbështetur më shumë sektorët prioritarë si arsimi, shëndetësia apo dhe qytetarët në nevojë, por gërryhet nga fatura e borxhit.

Interesat e larta që paguan dhe buxheti i vogël në raport me prodhimin kombëtar e bëjnë Shqipërinë një nga vendet ku borxhi merr një pjesë shumë të madhe të buxhetit. Dhe shifrat tregojnë se fatura ka ardhur në rritje nga viti në vit për një sërë arsyesh.

Në vitin 2013, interesat dhe shlyerja e kredive do të marrin 15.7 për qind të të gjithë shpenzimeve të buxhetit. Kjo shifër është ndër më të lartat në Europë, e krahasueshme vetëm me vendet që janë në krizë të thellë financiare si Greqia.

Në relacionin shoqërues të projektbuxhetit, Ministria e Financave thotë se një pjesë e arsyeve se pse fatura po rëndohet, lidhen me ndryshimin e strukturës së borxhit, që e ka orientuar huamarrjen drejt kredive afatgjata dhe në tregjet e huaja.

Por ka dhe disa arsye të tjera, se pse fatura po rëndohet. Së pari, është vetë rritja e borxhit kombëtar, që vitin e ardhshëm pritet të shkojë në rreth 8.97 miliardë dollarë, ose 62.6 për qind e prodhimit kombëtar. Arsyeja e dytë lidhet me ripagesat. Për një pjesë të kredive që Shqipëria ka marrë gjatë viteve të para të tranzicionit ka ardhur koha e shlyerjes. Në vitin 2013, qeveria do të shlyejë 130 milion dollarë kredi të marra vitet e kaluara. Fatura shumë e lartë e borxhit heq fondet për zërat e tjerë të buxhetit. Sipas Bankës Botërore, nëse Shqipëria do i conte shpenzimet totale për borxhin në nivel të krahasueshëm me ekonomitë e tjera të rajonit, fondet e kursyera do i mundësonin përgjysmimin e numrit të të varfërve. 

Top Channel