Rama: Të zgjidhet çështja e qarkut të Fierit

19/11/2012 00:00

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i bëri sërish thirrje në mbrëmjen e së dielës kryetarit të Partisë Demokratike dhe atyre të partive të tjera parlamentare për zgjidhjen e problemit të Qarkut Fier dhe votimin e menjëhershëm të tre akteve të përcaktuara si të nevojshme nga KE.

Edi Rama, nëpërmjet një deklarate, rishpreh publikisht nevojën për të mbledhur sa më parë tryezën e partive parlamentare duke shprehur bindjen se një tryezë e të gjitha forcave qeverisëse dhe opozitare mund të prodhojë konsensusin e nevojshëm në këtë moment kur koha nuk pret.

Të gjithë ata që e dëshirojnë vërtet statusin e kandidatit kanë detyrimin të provojnë se Shqipëria jo thjesht dhe vetëm i miraton, por dhe i zbaton ligjet. Kryetari i opozitës shpreh gatishmërinë për të përmbushur çdo detyrim, por në të njëjtën kohë kryeministri nuk duhet t’i shmanget përmbushjes së detyrimeve të qeverisë.

Edi Rama rinënvizon edhe njëherë se edhe pse shtete të rëndësishme anëtare të BE-së i konsiderojnë të pamjaftueshme këto tre akte për të miratuar statusin, pikërisht sepse është zbatimi i ligjeve dhe jo thjesht ligjvënia ajo çka kërkohet me të drejtë prej Shqipërisë, palët duhet të bëjnë të pamundurën deri në orën e fundit.

Duke dhënë zgjidhjen, qeveria dhe opozita mund t’i drejtohen pastaj me një apel të përbashkët të gjitha vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimmarrjes për statusin e kandidatit për Shqipërinë. Kryetari i opozitës rithekson se problemin e Fierit e krijoi politika dhe mund e duhet ta zgjidhë politika. I takon kryetarit të PD-së, kryeministër i vendit, që ta pranojë detyrën për ta zgjidhur bashkë me opozitën problemin e Qarkut të Fierit, në frymën e ligjit, të dialogut të domosdoshëm dhe të vetë integrimit europian duke hapur kështu rrugën e miratimit të tre akteve, përfundon deklarata e kryetarit të PS-së.

Top Channel