Holanda: Jo status Shqipërisë

19/11/2012 19:35

Ambasadori i mbretërisë së Holandës në Tiranë, Martin De la Beij, nëpërmjet një letre i jep përgjigje interesimit të Top-Channel për të mësuar pozicionin e qeverisë së tij në lidhje me me proçesin e integrimit të Shqipërisë.

Në fillim të përgjigjes ambasdori thotë se, pozicioni i qeverisë holandeze nuk ka ndryshuar që prej letrës së 26 tetorit 2012 dërguar për Parlamentin holandez, letër e cila shpjegon opinionin në lidhje me Strategjinë e Zgjerimit që Komisioni Europian bëri publike në 10 tetor 2012.

Holanda e mirëpret këtë raport dhe mbështet theksin e vënë nga Komisioni Europian mbi rëndësinë e Shtetit të së Drejtës që diskutohet me të gjitha vendet që synojnë të bëhen anëtare të BE-së.

Raporti i progresit, thotë ambasadori De la Beij, përmban një analizë dhe vlerësim shumë të mirë dhe të detajuar për këto vende. Komisioni Europian rekomandon që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, me kushtin e plotësimit të masave të rëndësishme në fushën e reformës së gjyqësorit, reformës në adminsitratën publike dhe rishikimit të rregullores dhe proçedurave të Parlamentit.

Komisioni gjithashtu do të vlerësojë përpjekjet e mëtejshme të Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në vijim të kësaj letre, ambasadori thekson se, Holanda është dhe mbetet një mbështetëse e fuqishme e politikave të BE-së për zgjerimin.

Edhe njëherë tjetër, në emër të qeverisë holandeze, ambasadori Martin de la Beij thekson se gjithësesi, bazuar në kriteret e Kopenhagenit, Holanda ka opinionin se Shqipëria nuk është ende gati për statusin e vendit kandidat.

“Holanda e vlerëson shumë atë ç’ka është bërë dhe arritur në këto një vit e gjysmë, si për shembull emërimi i Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor dhe ligjin mbi imunitetet”, thotë ambasadori.

Pozicioni i Holandës përballë zhvillimeve në Shqipëri që lidhen me integrimin është i qartë, pasi sipas diplomatit të mbrëtërisë së Holandës, tani është e rëndësishme që Shqipëria të tregojë shembuj konkretë se si këto ligje zbatohen dhe vihen në jetë.

Në përgjigjen e ambasadorit nuk mungon së kujtuari autoriteteve shqiptare se: “Raporti e deklaron qartazi se Shqipëria duhet të ndërtojë një “track record” të besueshëm (bazë të besueshme të dhënash), duke vërtetuar faktin se këto ligje kanë mundësi të ekzekutohen dhe zbatohen. Por ky nuk është ende rasti, prandaj Holanda është e mendimit se është shumë herët për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.

Ambasadori e mbyll me këto fjalë letrën e tij: “Holanda ka patur gjithmonë një politikë strikte dhe të drejtë përsa i përket proçesit të zgjerimit. Është Shqipëria ajo që duhet të bëjë përpjekjet për të përmbushur kriteret dhe për të treguar se është e mundur që këto kritere të zbatohen”.

Top Channel