Milo: Berisha mban peng integrimin

18/11/2012 11:20

Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, lëshoi një sulm të ashpër ndaj maxhorancës së kryeministrit Berisha, gjatë një vizite në qytetin e Korçës.

Duke përsëritur qëndrimin e tij të vendosur dhe rekomandimin që i ka bërë më parë socialistëve që të mos miratojnë ligjet e domosdoshme per fitimin e statusit te pakushtezuar te vendit kandidat nga BE pa u zgjidhur çështja e Fierit, Milo theksoi se “Berisha është i vetmi që po mban peng integrimin e vendit dhe Qarkun e Fierit, teksa është duke përdorur çdo arme e argument të mundshem për të fituar zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Ky eshte interesi i tij i vetem”.

Në profesion historian, ish-ministri i Jashtëm kritikoi ashpër qëndrimin e mbajtur nga kryeministri edhe me rastin e kthimit të eshtrave të ish-mbretit Zog i Parë në Shqipëri. “Berisha nuk ka të drejtë të flasë në këtë çështje në emër të të gjithë kombit, për më tepër që qëndrimi i tij i përket vetëm një minorance të shqiptarëve”.  

Sipas kryetarit të PDS-së, qëndrimi i mbajtur në lidhje me Zogun, është thellësisht politik dhe i përllogaritur për të shtuar kapitalin përpara zgjedhjeve të 2013-s. “Berisha e nderoi Ahmet Zogun për të marrë edhe ato pak vota që ka nga Partia e Lëvizjes së Legalitetit”, tha Milo.

Së fundmi, nga Korça, zoti Milo i bëri një ftesë të gjithë shqiptarëve, që “28 nëntorin ta festojmë të gjithë së bashku në Vlorë, atje ku i takon që të festohet”.

Top Channel