Historia në objektivin e Marubëve

17/11/2012 00:12

Fototeka Marubi, në kuadër të festimeve për 100-vjetorin e Pavarësisë, ka hapur, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, një ekspozitë fotografike të titulluar “Historia e Shqipërisë, përmes objektivit të Marubëve”.

Në të gjenden një sërë fotosh të përzgjedhura nga koleksioni i cmuar i Marubëve, fotografëve të njohur, që për mëse dy shekuj, duke filluar prej vitit 1856, kanë dokumentuar eventet më të rëndësishme në Shqipëri.

“Shkodra dhe Shqipëria marrin nga Pjetër Marubi studion e parë fotografike dhe fotografinë e parë. Nga Mati Marubi, të parën fotografi bashkëkohore, nga Keli, historinë e munguar, nga Benardina, qëndisjen e flamurit i cili u ngrit në Shkodër në 1913, nga Gegë Marubi, fotografinë për artin e kulturën, ndaj kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë”, tha Lucian Bedeni, drejtor i Fototekës Marubi.

Gjatë eventit është bërë edhe promovimi i albumit fotografik, – Marubi – “Njerz në zâ e sênde të kujdesshme”. Ministri i Kulturës Aldo Bumci, ka vlerësuar vecantinë e punës së Marubëve, në një kohë kur fotografia ishte vetëm në hapat e saj të parë.

“Ne këtu kemi dy pasuri të mëdha: kemi Marubët, pionerë të fotografisë, një pasuri e madhe kombëtare, dhe pasuria e dytë është ajo çfarë mbajnë negativët, jo vetëm fotografitë artistike, por ato historike, që përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme, siç do ta shihni në këtë ekspozitë”, tha Aldo Bumci.

Edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Znj. Jozefina Topalli, ka pohuar se vepra e lënë prej Marubëve është një pasuri e pacmuar, jo vetëm për Shkodrën, vendlindjen e tyre, por për të gjithë Shqipërinë.

“Çdo ekspozitë fotografike është një ngjarje kulturore, por një ekspozitë fotografike e Marubit është një histori. Dua të falënderoj të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, që punuan për vite të tëra, duke na dhënë ne një pasuri, një thesar, që na tregon historinë me vërtetësinë më të madhe”, tha Jozefina Topalli.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 28 Nëntor, ditën e festimeve të 100-vjetorit të formimit të shtetit shqiptar. Prej Marubëve kemi edhe një dhuratë me vlera shumë të mëdha historike, fotografinë e deklaratës së Pavarësisë.

Top Channel