Ksamil, komuna denoncon mbifaturimin e energjisë

16/11/2012 00:00

Furnizimi me energji elektrike në komunën Ksamil është ndër më
problematikët në jug të vendit. Popullsia e 10-fishuar që prej kohës së
elektrifikimit të vendit nuk mund të furnizohet përmes të njëjtit rrjet
që nuk ka marrë investime prej  gati 50 vitesh.

Kështu kufizimet e energjisë elektrike kanë qenë të vazhdueshme gjatë sezonit veror dhe shpesh situata përkeqësohet në dimër prej defekteve dhe tensionit të pamjaftueshëm në rrjet duke nxjerrë jashtë funksionit paisjet. Kreu i komunës thotë se ankesat për gjendjen janë përcjellë deri tek qeverisja qendrore por nuk kanë marrë zgjidhje ndërsa niveli i shlyerjes së faturave është gati 100%.

Ndërkaq drejtuesi i Financave në këtë komunë Gëzim Daci denoncon faturimin e padrejtë të energjisë elektrike për 34 kontrata publike. Komuna pretendon se matësit nuk lexohen cdo muaj dhe faturohen shifra të pabalancuara ndërsa çdo kontratë publike ku përfshihen ndricimi rrugor, funksionimi i pompave të ujësjellësit apo ndriçimi i kopshteve dhe shkollave shoqërohen për më tepër edhe me taksën e televizorit.

Mundësitë likuiduese të komunës nuk mund të përballojnë fatura që mbajnë vlera deri në 1,8 milionë lekë në muaj për më tepër pas kufizimit të grantit të mbetur për detyrimet që ndërmarrja e Ujësjellësit ka ndaj CEZ.

Top Channel