Gjinushi: PS të mos votojë ligjet

14/11/2012 00:00

Skënder Gjinushi, kreu Partisë Socialdemokrate, duke analizuar ligjet me
3/5, të cilat e kanë futur në një ngërç të ri politikën shqiptare,
thotë për Top Channel se ato janë një mashtrim i madh, pasi këto tre
amendime ligjesh kërkohen të serviren si reformë.

“Këto tre projektligje të famshme jo vetëm që nuk janë rreforma, por ato edhe në përmbajtje vetëm e përkeqësojnë situatën. Të treja janë goditje të demokracisë, sepse ndryshimi i rregullores konsiston në sanksionimin e heqjes së votës së fshehtë, që është rënie e rendit kushtetues, në Shqipëri. Amendimi i ligjit të Gjykatës së Lartë synon dhënien e mundësisë së Qeverisë, të kontrollojë më tej gjyqësorin nëpërmjet emërimeve të reja, të njëanshme. Ndërsa amendimet për administratën civile sanksionojnë gjëndjen katastrofike, në të cilën e ka cuar kjo qeveri administratën”, tha Gjinushi.
 
Në këndvështimin e socialdemokratit Gjinushi, ngulmimi i ndërkombetarëve për miratimin e këtyre tre ligjeve, shihet thjesht si kamardare shpëtimi për kryeministrin Berisha.

“Ne si PSD vlerësojmë që këto tre projekligje të famshme, në fakt janë një përpjekje e dështuar e disa burokratëve të Europës për të shpëtuar Qeverinë. E thënë shkurt, standardet, arritja e tyre janë status për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndërsa amendimet janë status për Qeverinë dhe për të shpëtuar e dhënë një alibi kësaj Qeverie për dështimet katastrofike të sajat këto tre vjet”, tha Gjinushi.
 
Gjinushi e shikon si kapitullim te opozites nese do te votohen ligjet.

“Do të komentohet që kjo Qeveri i ka duart e lira të uzurpojë të gjitha institucionet. Do të kuptohet që vetë, një pjesë e përfaqësuesve të BE-së nuk duan realisht standarde për shqiptarët, sepse asnjë nga rekomandimet nuk është plotësuar, asnjë nga standardet nuk është arritur, por kërkojnë të gjejnë një makiazh për Qeverinë se kanë hallin se mos humb zgjedhjet”, theksoi Gjinushi.

Top Channel