Milo: PS të mos votojë ligjet

13/11/2012 00:00

Paskal Milo, kreu Partisë Demokracia Sociale, një prej aleatëve të
Partisë Socialiste, është i mendimit se opozita duhet të vijojë të
respektojë vendimin e saj, për të mos votuar ligjet me tre të pestat në
seancën parlamentare të së enjtes, nëse maxhoranca nuk heq dorë nga
bllokimi qarkut të Fierit.

“Në një Shqipëri që qeveriset në mënyrën se si po qeveriset, opozita duhet të vijojë të ketë qëndrime koherente. Në rast se opozita dhe në rastin konkret PS do të tërhiqet, siç është tërhequr në momentet e fundit nga disa qëndrime të tjera të kohëve të shkuara, do të bënte gabim. Çështja e Fierit, për të cilën është duke këmbëngulur është një çështje e madhe parimore, që ka të bëjë me funksionimin, me respektimin e vendimeve të institucioneve të drejtësisë, me pavarësinë e këtyre institucioneve, gjë që është edhe një kërkesë themelore e BE për integrimin dhe për marrjen e statusit të vendit kandiat”, tha Milo.

Zoti Milo komenton edhe skenarin e ndryshimit të qëndrimit nga PS, ditën e votimit.

“Do të ishte një zhgënjim i madh në rast se PS në momentin e fundit do të tërhiqej, pasi ka bërë një rezistencë dhe pasi ka argumentuar gjatë gjithë kësaj kohe se nuk do të tërhiqet, për arsye se kjo ka të bëjë me pavarësinë e institucioneve të drejtësisë. Eshtë vërtetë djallëzore që Kryeministri kërkon ta verë në qoshe përpara përgjegjësise politike PS-në, duke e akuzuar që në rast se ajo nuk voton të enjten, kërkon të sabotojë çështjen e marrjes së statusit të vendit kandiat”, tha Milo.

Top Channel