Reforma gjyqësore, Nishani fton Ina Ramën

12/11/2012 00:00

Kreu i shtetit, Bujar Nishani ka mbledhur ditën e sotme një sërë
drejtuesish të institucioneve kryesore, pjesë përbërëse të sistemit të
drejtësisë, si ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe kryeprokurorja
Ina Rama për të diskutuar në lidhje me reformën në sistemin gjyqësor.

Objekt i kësaj tryeze do të jetë Reforma në sistemin gjyqësor si dhe sfidat që burojnë nga rekomandimet në Progresin-Raportin e BE-së për Shqipërinë për vitin 2012.

Në fjalën e tij në nisje të kësaj tryeze, kreu i shtetit i bëri thirrje klasës politike shqiptare që të gjejë konsensusin për miratimin e 3 ligjeve të kërkuara nga Komisioni Europian duke kërkuar prej tyre që të arrijnë të përmbushin ëndrrën europiane të shqiptarëve pas 100 vjetësh.

“Tre projektligjet kanë një rëndësi të madhe për integrimin e vendit në bashkimin Europian. Klasa politike duhet të kurorëzojë atë që u nis 100 vjet më parë”, – tha Nishani.
Duke iu referuar emërimit të gjyqtarëve, Nishani kërkoi që kjo të bëhej në bazë të meritës së secilit dhe aftësisë për të përçuar vlerat e gjyqësorit.

Kushdo që punon në gjykatë duhet të përfaqësojë vlerat e gjyqësorit. Vetëm personat që garantojnë këto vlera mund të përçojnë tek qytetarët  imazhin e një gjyqësori efikas”, shtoi presidenti Nishani.

Edhe ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi ka kërkuar nga klasa politika që të gjejë konsensusin për të miratuar tre ligjet e kërkuara nga KE-ja dhe veçanërisht ligjin për Gjykatën e Lartë. Ai ka kujtuar faktin se këtë javë skadon edhe afati që BE i ka lënë vendin tonë për miratimin e këtyre tre ligjeve të rëndësishme, ndër të cilët ai për Gjykatën e Lartë do të bënte të mundur rritjen e transparencës në sistemin gjyqësor.

Top Channel