Kryesocialisti Edi Rama ia dedikoi tërësisht deklaratën përpara medias,
marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë për të cilën fajësoi Qeverinë,
e cila sipas tij e ka futur këtë marrëveshje në një qorrsokak.

“Në prag të 28 Nëntorit dua të përsëris apelin për rishqyrtimin e marrëveshjes së detit me Greqinë. Marrëveshja aktuale dhe harta bashkëngjitur saj është një zonë e minuar për marrëdhëniet mes dy vendeve. Rishikimi i hartës dhe vendosja e vijës së kufirit, aty ku i jepet fund kësaj gjendjeje të pezullt me potencial konflikti është një domosdoshmëri historike. Qeveria shqiptare duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për qorrsokakun që ka vizatuar në hartë dhe duhet të ulet menjëherë, pa humbur asnjë ditë me fqinjët për të gjetur rrugën e arsyes. Deti Jon është një pasuri e përbashkët e të dy vendeve dhe të dy popujt tanë kanë të drejtë të përfitojnë nga kjo pasuri, përmes projektesh e planesh strategjike të përbashkëta. Asnjëri nuk mund dhe nuk duhet të përfitojë në kurriz të tjetrit”, tha Rama.

Zoti Rama foli edhe për rëndësinë që merr për të dy vëndet gazsjellësi TAP.

“Projekti TAP më së pari nuk mund dhe nuk duhet të kërcënohet nga konflikti që ka hapur marrëveshja e firmosur qorrazi prej Qeverisë Shqiptare. Por po ashtu nuk mund dhe nuk duhet të cenohet as vetë perspektiva e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të të dyja vendeve tona, që sot më shumë se kurrë, kanë nevojë të shohin përtej rrugëve të vjetra të zhvillimit. Është e papranueshme gjithashtu që kjo marrëveshje e domosdoshme për ardhmërinë e të dy vendeve, të bëhet një vatër ku marifetçinj politikë andej e këtej kufirit t’i frynë zjarrit të nacionalizmit dhe të dasisë primitive”, tha Rama.

Kryesocialisti Rama i kërkoi kryeministrit Berisha të korrigjojë gabimin e bërë gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së parë.

“Është përgjegjësi ekskluzive e kësaj Qeverie dhe e kryeministrit personalisht, që 100-vjetori i shtetit po e gjen Shqipërinë të cunguar territorialisht. Ashtu siç është detyrim ekskluziv i kësaj qeverie që kufiri i vendosur qorrazi prej saj në dëm të interesit tonë kombëtar, të spostohet në vendin e vet dhe çdo pëllëmbë deti i Shqipërisë të mbetet det i Shqipërisë”, theksoi Rama.

Top Channel