Programi i PS-së për të rinjtë

12/11/2012 00:00

Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama njohu të rinjtë me pikat kryesore të programit “Për një Rilindje Kombëtare”, ku kryefjala mbetet arsimi.

Sipas zotit Rama arsimi sot ka degraduar dhe procesi i reformimit të tij po rrotullohet rreth vetes. Të rinjtë kanë nevojë të arsimohen ashtu sic duhet, tha Rama, dhe më pas të punësohen. Socialistët kanë lënë një hapësire kryesore në programin e tyre qeverisës për këtë kategori të shoqërisë.

Programi i socialistëve vë theksin tek arsimi profesional dhe praktikimi i tij ashtu sic duhet për të shmangur atë që kryesocialisti Rama e quajti “marrja e një diplome të pavlerë në fund”.

“Ka vetëm një ndryshim të rëndësishem themelor për t’u realizuar dhe programi është një angazhim për Shqipërinë që tregon se me punë të përbashkët ne mund të realizojmë ëndrrën e një Shqipërie të mirëqënë që u jep mundësi gjeneratave të tjera ta shohin të ardhmen më të qetë. Arsimi profesional është një instrument që garanton dhe nëse përdoret ashtu sic duhet i jep një dorë të madhe qeverisë për të orientuar nxënësit në rrugën drejt aftësimit pa krijuar iluzione për rrugën e universitetit”, tha Rama para të rinjve.

Top Channel