OSBE: Miratoni ligjet e integrimit

12/11/2012 00:00

Gjatë një takimi në Durrës, ambasadori i OSBE-së, Eugen Wollfarth i bëri thirrje politikës që të bashkëpunojë për të miratuar ligjet që lidhen me integrimin e vendit dhe që kërkojnë 3/5-at në Parlament.

“Zhvillimet ligjore në Shqipëri janë vërtet kyçe. Zakonisht zhvillimet ligjore përkthehen në proçese reformash. Është shumë e rëndësishme që në këtë proçes të bëhen përgatitjet në kohën e duhur”, deklaroi Wollfarth.

Ai kërkoi zgjidhjen e ngërçit të qarkut të Fierit për t’i hapur rrugë bashkëpunimit. “Integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian kërkon para së gjithash zhvillim të mëtejshem social, eknomik dhe politik. Do të ishte mirë të shihnim marrjen e vendimeve të mira në kohën e duhur dhe tani është koha e duhur për ta bërë këtë”, u shpreh ambasadori.

Kreu i OSBE-së e vlerësoi si mjaft të rëndësishëm për vendin proçesin e reformave në vazhdimësi për integrimin në BE. Ndërsa pohoi se ka mjaft probleme, ai ftoi të shihen arritjet, mes të cilave miratimi i Kodit Zgjedhor dhe çështja e heqjes së imunitetit.

“Ne kemi parë vitin e fundit hapa të rëndësishëm në reforma, si në rastin e Kodit Zgjedhor, dhe do të ishte mirë të vazhdohej në këtë proçes reformash. Do të ishte në të mirë të vendit dhe është koha më e mirë. Dhe këto janë vendime që merren në Parlament, duke patur parasysh situatën e përgjithshme politike”, tha Wollfarth.

Diplomati vlerësoi sinjalet pozitive të bashkëpunimit që po vijnë nga dy krahët e politikës. Deklaratat e ambasadorit të OSBE-së u bënë pas një takimi të zhvilluar në bashkinë e Durrësit për vlerësimin e të rinjve që u përfshinë në punë vullnetare për komunitetin.

Top Channel