Një grup vullnetarësh të Aleancës Kuqezi u grumbulluan të hënën në një protestë, filimisht në Sarandë e më pas duke udhëtuar drejt Ksamilit, për të reaguar lidhur me marrëveshjen e ujërave mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Kreshnik Spahiu tha se AK do të regjistrojë qindra vullnetarë që do të jenë të gatshëm të mbrojnë kufirin shqiptar nëse këtë nuk do ta bëjnë autoritetet shtetërore shqiptare.

AK i ka bërë thirrje presidentit të Republikës për të mbledhur sa më parë Këshillin e Sigurisë Kombëtare për ruajtjen e ujërave territoriale të Shqipërisë.

Muajin e kaluar aktivistët e Aleancës Kuqezi bllokuan kalimin në Urën e Dragotit në Tepelenë, për të penguar kalimin atje të përfaqësuesve të partisë së ekstremit të djathtë grek, Agimet e Arta.

Ishte lajmëruar se në ceremonitë që do zhvilloheshin në Këlcyrë të Përmetit do merrnin pjesë edhe aktivistët ekstremistë grekë për të përkujtuar ushtarët grekë të rënë në luftën italo-greke.

Disa dhjetëra mbështetës të Aleancës Kuqezi u grumbulluan për disa orë në Urën e Dragotit për të protestuar ndaj “marshimit të fashistëve grekë”, siç i etiketuan ata përfaqesuesit e ekstremit të djathtë.

Një ditë më vonë, përkrahës të PDIU-së, AK-së, Vetëvendosjes dhe Grupimit të Patriotëve të Rinj u tubuan në Këlcyrë paralelisht mbajtjes së homazheve në varret e ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke.

Ambasadori grek në Tiranë, drejtues të PBDNJ-së, përfaqësues të qeverisë greke dhe 4 autobusë me persona të mbërritur nga Greqia kaluan urën e Dragotit për të vizituar manastirin e Këlcyrës ku gjenden rreth 70 varre të zbrazur në pritje për rivarrosjen e ushtarëve grekë.

Protestuesit goditën me gurë dhe vezë automjetet e përfaqësuesve të ambasadës dhe 4 autobusët e mbërritur nga Greqia në urën e Dragotit.

Kreu i PBDNJ-së etiketoi si “të paguar” personat që protestuan, ndërsa përfaqësues të protestuesve reaguan menjëherë ndaj deklaratave duke i hedhur poshtë ato.

Top Channel