PS: ERE të japë dorëheqjen ose të shkarkohet

10/11/2012 00:00

Partia Socialiste në opozitë kërkoi të shtunën dorëheqjen e Entit
Rregullator të Energjisë, pasi e konsideron këtë ent si një nga fajtorët
kryesorë të situatës së rëndë të krijuar në sistemin elektroenergjetik
shqiptar.

Deputeti Arben Ahmetaj gjatë një konference për shtyp të mbajtur sot tha se gjendja në sektorin e energjisë elektrike është dramatike dhe se Enti Rregullator është përgjegjës për këtë situatë. Sipas Ahmetajt, sistemi energjetik është kthyer në një piramidë borxhesh dhe po rrezikon të gjithë ekonominë shqiptare, xhepat e qytetarëve dhe shëndetin e sistemit financiar të vendit.

“Enti Rregullator i Energjisë me qëllim nuk e ka zbatuar detyrën e tij. Me qëllim ka favorizuar kompaninë CEZ. Me qëllim ka mbyllur sytë përpara moszbatimit të detyrimeve ligjore të këtyre kompanive dhe konkretisht të kompanisë CEZ. Ne si opozitë sot kërkojmë dorëheqjen, shkarkimin e Entit Rregullator të Energjisë”, tha Ahmetaj.

Në të gjithë vendin janë shtuar ndjeshëm kufizimet me periudha të gjata të furnizimit me energji elektrike, gjë që ka shkaktuar protesta popullore. Kompania CEZ, e cila privatizoi sektorin në vitin 2009 nën premtimin e uljes së vjedhjeve, ka vendosur të largohet nga Shqipëria pasi niveli i humbjeve është rritur në vend që të ulet, ndërsa Qeveria po përdor fondet e taksapaguesve për të shlyer faturat e përditshme të importit të energjisë elektrike.

Top Channel