“Rrugëtimi i Ismail Qemalit”

08/11/2012 00:21

Gazetari i njohur Ilir Ikonomi ka promovuar, në ambjentet e Hotel Tiranës, librin e tij të dytë “Pavarësia, Udhëtimi i Paharruar i Ismail Qemalit”, të botuar nga UET Press.

Pas biografisë së Faik Konicës në vitin 2011, ky është botimi i dytë historik i Ikonomit. Në të jepet një kronologji reale e ngjarjeve, në atë udhëtim të famshëm drejt Vlorës, që Ismail Qemali ndërmori drejt shpalljes së pavarësisë.

Autori është shprehur se ky është një udhëtim emblematik për Shqipërinë, i cili përmbledh në 26 ditë, më të mirën që Ismail Qemali ka bërë për vendin e tij.

“Ky udhëtim është bërë në kushte të jashtëzakonshme, kjo duhet shënuar, dhe Ismail Qemali në fakt qëlloi në shenjë, sepse intuitën dhe inteligjencën e tij të jashtëzakonshme, ai arriti të kapë momentin, në të cilin Shqipëria duhej të shkëputej nga Turqia, për të shpallur shtetin e vet të pavarur. Kështu që, mua si autor më rezulton që Ismail Qemal Vlora ishte njeri me vlera dhe inteligjencë të jashtëzakonshme”, u shpreh Ilir Ikonomi, autor i librit.

Libri është një rrëfim realist, i bazuar në studimin e mijëra dokumentave të kohës, për të treguar me vërtetësi, gjithçka që ka ndodhur në atë udhëtim nga Stambolli në Vlorë.

Autori është përpjekur të japë një version të tijin të figures më të shquar të pavarësisë, duke u fokusuar në veprimtarinë e tij patriotike, bazuar në studimet vetiake dhe jo në hulumtimet e mëparshme të historianëve.

Në të, ai përdor një stil letraro-artistik, për ta bërë librin sa më të këndshëm për lexuesin.

Kryeministri i vendit, Sali Berisha, i pranishëm në event, ka përgëzuar autorin Ikonomi, duke u shprehur se me anë të këtij botimi dhe studimit të çdo dokumentacioni të mundshëm ekzistues, gjatë përgatitjeve për ta shkruar atë, ai i ka bërë një shërbim të madh shkencave historike të vendit.

Top Channel