Mbrojtja, rrëzohet hetimi parlamentar

08/11/2012 20:30

Mazhoranca rrëzoi në Kuvend kërkesen e opozitës për ngritjen e Komisionit Hetimor për Ministrinë e Mbrojtjes.

Deputetët e Partisë Socialiste kishin depozituar kërkesën për hetimin e veprimtarisë së Shërbimit Informativ të Ushtrise, pasi sipas tyre kjo strukturë nën varësinë e ministrisë së Mbrotjes ka përgjuar në mënyre të paligjshme deputetet e opozitës dhe trupën diplomatike në Tiranë, përmes një aparature që opozita thotë se ka të dhëna se është blerë po ashtu në kundështim me ligjin.

Por, objekti i hetimit, i lexuar nga deputeti i komisionit të Sigurisë, Pirro Lutaj u kundërshtua nga demokratët.

Sipas tyre, kërkesa paraqet pasaktësi në formulim. Me 65 vota, maxhoranca kundërshtoi hetimin parlamentar të Ministrisë së Mbrojtjes.  

Rrëzimi i kësaj kërkese në Kuvend vjen në një kohë kur më herët ishte vetë mazhoranca që i sugjeroi opozitës të kërkonte komision hetimor në Kuvend, pas refuzimit të mbikqyrjes parlamantare nga Ministria e Mbrojtjes.

Pavarësisht kësaj, opozita ka dhënë votën pro për projektligjin e amnistise në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë.

Megjithe kartonin pro te PS, kjo e fundit shprehu shqetesimin për përfitim nga falja e përgjithshme që po aplikon qeveria për një sërë kategorish të të denuarve, midis të cilëve edhe të akuzuarit e procesit të Gërdecit. Por, ministri Halimi hodhi poshtë një mundësi të tille dhe çdo mundësi abuzimi me faljen.

Socialisti Gjoni: Mazhoranca po fsheh nga publiku aferat e MM-së

Për të folur në lidhje me votimin e sotëm, gjatë të cilit mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për një komision hetimor për veprimtarine e Ministrise se Mbrojtjes dhe SHIU-T, në linjë të drejtperdrejtë telefonike nga Uashingtoni u prononcua deputeti i Partisë Socialiste dhe nënkryetari i komisionit të çështjeve të Sigurisë, Ilir Gjoni.

TCH – Ju jeni një nga deputetët e opozitës që jeni përfshirë më shumë në këtë betejë politike. Cili është komenti juaj me vendimin për rrëzimin e kërkesës për ngritjen e komisionit?

Ilir Gjoni – ”Është e saktë. Unë dhe kolegët kemi ngritur mbikqyrjen e MM-së dhe SHIU-t sepse kemi dyshime që kanë dalë jashtë kuadrit kushtetues. Mazhoranca sot bëri një puç kushtetues, që i mohon të drejën opozitës dhe publikut të mbikqyrjes në veprimtarinë e institucioneve. Me këtë sjellje, ky nuk është një vend që meriton të jetë pjesë e BE-së dhe nuk është partner serioz i SHBA-së apo Europës”.

TCH
– Por, mazhoranca justifikoi rrëzimin e saj me faktin se nuk ka një objekt të hetimit, në lidhje me rrethanat dhe objektin konkret të hetimit të këtij komisioni.

Ilir Gjoni – “Të jeni të sigurt se e kemi formuluar si duhet këtë kërkesë. Përpara tre javësh paraqitëm një tjetër kërkesë, në përputhje me rregulloren e Kuvendit. E ribëmë sipas udhëzimeve të Topallit, që me Berishën dhe Imamin janë arkitektë të kësaj historie, por përsëri u gjeti preteksi për të rrëzuar çështjen. Kjo nuk është një çështje teknike, por mbulon megaskandalet e Ministrisë së Brendshme”.

TCH – A e prezantuat këtë zhvillim aty në Uashington dhe nëse keni pasur takime zyrtare, çfare reagimi pati dhe pse gjendeni aty në fakt?

Ilir Gjoni
– “Jam në Uashington së bashku me zonjën Dade dhe dy kolege nga maxhoranca, Doda dhe Vokshi. Kemi qenë pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të OSBE. Që në dy nëntor ndoqëm zgjedhjet amerikane. Sot u bë raporti i misionit monitorues publik, ndërsa unë me zonjën Dade kishim takim me drejtorin e Ballkanit dhe Europës Juglindore në Departmanetin e Shtetit. Midis disa çështje, i parashtruam edhe shqetësimin për rrëzimin e komisionit hetimor, ndërsa mund t’iu them se Departamenti i Shtetit ndien një shqetësim të thellë mbi zhvillime të ndryshme për Shqipërinë, por me detaje mund të ndalemi kur të rikthehemi në Shqipëri.

TCH – Cila është lëvizja e radhës për të bërë të mundur zbardhjen e atyre që ju e cilësoni si skandale në Minsitrine e Mbrojtjes. Me çështjen e përgjimeve, tregëtise së armëve dhe shitjes së pronave, tani që kërkesa juaj u hodh poshtë?

Ilir Gjoni – “Do të na duhet të diskutojmë mes kolegësh dhe të vendosim një strategji që të gjejmë mundësitë ligjore që të përballemi me këtë mungesë të shtetit ligjor, por do të shfrytëzojëm çdo hapësirë të rregullores dhe ligjeve në fuqi, përfshi denoncimet në Prokurori për denoncimet që kemi dokumenta dhe fakte”.

Top Channel