Paanshmëria e lajmeve të transmetuara nga operatorët mediatik kanë shkaktuar debate të gjera në komisionin e medias.

Dy relatorët e projektligjit për mediat audiovizive kanë kërkuar që të mos ketë kufizime për gazetarët, si dhe lajmi të jetë i paanshëm dhe pluralist.

“Nëse ne i themi ‘dakord, zgjidh një lajm që i përket aktualitetit lokal’, atëherë ne do t’i garantojmë edhe humbjet financiare që shkakton transmetimi ose jo i një lajmi. I bie të ndërhymë në brendësi të mediave”, deklaroi relatori Mark Marku.

“Këtu mungon mocioni pluralist dhe ka pasur 7 amendime që janë votuar për këtë”, tha nga ana tjetër relatori Alfred Dalipi. Ndërsa deputeti socialist Fidel Ylli u shpreh: “Po digjen njerëzit dhe po e jep BBC-ja, ndërsa TVSH-ja nuk jep asgjë”.

Deputetët e komisionit të medias kanë kërkuar që shteti të suvbencionojë operatorët mediatikë, përsa i përket aparaturave të transmetimeve dixhitale. Alfred Dalipi ka kërkuar disa ndryshime me qëllimin e vetëm që konsumatori të jetë i mbrojtur deri në fund.

“Nëse shteti do të paguajë për kalimin nga një teknologji tek tjetra, ne sigurisht që do t’i kërkojmë edhe kushte për të respektuar konsumatorin. Ne bëjmë një përcaktim ligjor që të vënë garanci financiare që në rast falimentimi të dëmshpërblehen konsumatorët”, deklaroi Dalipi.

Në përfundim të kësaj seance u kërkua që relatorët të japin propozime konkrete mbi problemet e ligjit.

Top Channel