Presidenti i Republikës, Bujar Nishani është takuar për herë të parë me të gjithë krerët e partive parlamentare në nisjen e turit të konsultimeve për të vendosur datën e zgjedhjeve të përgjithshme.

Përmes një axhende të mirëpërcaktuar, kreu i shtetit ka pritur në Presidencë me radhë të gjithë përfaqësuesit politikë, në një diferencë kohore nga njëri-tjetri prej 60 minutash.

Takimi i parë ka qenë me kryetarin e grupit parlamentar të mazhorancës Astrit Patozi, ndërsa 60 minuta më pas me atë të socialistëve Gramoz Ruçi.

Me pas ka qenë radha e Lefter Kokës nga LSI dhe Fatmir Mediut nga PR. Ndërkohë, Vangjel Dule i PBDNJ ka dërguar zëvendësin e tij Thanas Poçi, i cili ka shprehur mbështetjen për datën 23 qershor.

Takimi i fundit me krerët e grupeve parlamentare ka qenë me Shpëtim Idrizin e PDIU-së. E vetmja parti parlamentare që nuk ishte ftuar në takim ishte Fryma e Re Demokratike, që u krijua këtë vit dhe që përfaqësohet në Kuvend nga Gazmend Oketa.

Përveç buzëqeshjeve zyrtare dhe shtrëngimit të duarve përpara kamerave, nga të pranishmit nuk ka patur deklarata zyrtare për brendinë e takimeve.

Nga burime të besueshme mësohet se për datën e zgjedhjeve, dy partitë e medha, PD dhe PS, kanë të njëjtin qëndrim.

Në bazë të Kushtetutës dhe Kodit Zgjedhor, janë dy datat e mundshme kur mund të mbahen zgjedhjet e përgjithshme, data 23 qershor dhe data 30 qershor.

Qoftë demokratët, qoftë socialistët, por edhe Lëvizja Socialiste për Integrim janë pro vendosjes së datës 23 qershor si dita kur do të mbahen zgjedhjet.

Për socialistët kjo datë është më e favorshme për të siguruar një pjesëmarrje sa më të madhe në votime dhe kanë kërkuar që kreu i shtetit ta shpallë ditën e zgjedhjeve sa më shpejt, në mënyrë që KQZ të ketë kohën e mjaftueshme për përgatitjen e infrastrukturës zgjedhore.

Duke qenë se partitë e mëdha tashmë janë dakord për 23 qershorin, që mbështetet edhe nga OSBE, të paktën parimisht, shpallja e saj nga Presidenti nuk do të kundërshtohet edhe nga forcat e tjera politike.

Nishani-Sequi diskutojnë për statusin e kandidatit

Presidenti i Republikës e ka mbyllur serinë e takimeve me ambasadorin e Bashkimit Europian, Ettore Sequi, me të cilin ka shkëmbyer mendime mbi rekomandimet e Bashkimit Evropian për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“KE inkurajon politikën shqiptare që të plotësojë kriteret e kërkuara. Ne mbështesim Shqipërinë në përpjekjet për marrjen e statusit për në BE”, ka deklaruar Sequi.

Ndërsa Nishani nga ana e tij ka shprehur shqetësimin për situatën politike në të cilën ndodhet Shqipëria, e cila sipas tij mund të rrezikojë marrjen e statusit.

“Ndihem i shqetësuar për situatën në vend. Ajo mund të bëhet shkak që Shqipëria të mos marrë statusin e vendit kandidat. Megjithatë, jam i bindur se klasa politike do të dijë të ngrihet mbi interesat partiake”, ka thënë Nishani.

FRD: Nishani, ogur i zi për zgjedhjet

Fryma e Re Demokratike ka reaguar ndaj përjashtimit të saj nga takimet e organizuara nga presidenti për caktimin e datës së zgjedhjeve, duke vënë në dukje anshmërinë që sipas saj ka marrë kreu i shtetit.

“FRD nuk shqetësohet nga këto akte selektive të imponuara nga mazhoranca, por shqetësohet për faktin se presidenti ka hequr dorë nga mandati kushtetues, duke u bërë pjesë e një pale”, ka deklaruar kreu i grupit kuvendor të FRD, Gazmend Oketa.

Ish-deputeti i Partisë Demokratike ka denoncuar se, vazhdimisht gjatë tranzicionit ka pasur refuzime nga parti të ndryshme të ftesave dhe nismave të presidentëve, por ky veprim i kreut të shtetit sipas tij është i papreçedent.

“Por sot është hera e parë që presidenti refuzon një parti. Pra, institucioni që duhet të jetë mbi palët, vendos të sillet me një standart të kundërt dhe jo demokratik. Ky është një sinjal negativ për integritetin e proçesit të ardhshëm zgjedhor”, ka nënvizuar Oketa. 

Top Channel