Berisha fton Ramën për ligjet

05/11/2012 00:00

Kryeministri Sali Berisha, duke i bërë thirrje liderit të opozitës Edi
Rama që të votojë tre ligjet e mbetura në Parlament, theksoi se PD është
gati të pranojë amendimet dhe sugjerimet për to në përputhje me
Kushtetutën.

Në fjalën e tij para deputetëve demokratë, Berisha kujtoi se çdo orë që kalon me mosvotimin e këtyre ligjeve, çon sinjale negative te çdo shqiptar.

“Me votimin e tyre fitojnë të gjitha forcat politike që bëjnë të mundur miratimin e këtyre ligjeve, por mbi të gjitha fitojnë qytetarët”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se shqiptarët nuk do të shpërblejnë kurrë bllokimin, ndaj kërkoi kalimin e tre ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar në Kuvend.

Në fillim të fjalës së tij, Berisha u shpreh se në buxhetin e vitit të ardhshëm, përparësi do të kenë rrogat e ulëta, ndërsa theksoi se rritja e rrogave dhe pensioneve do të vijojë.

Ekonomia shqiptare, sipas Berishës, edhe pse e vogël, ishte dinamike dhe i mbijetoi krizës.

“Ka patur angazhim më të madh te femrave në drejtim të bizneseve”, tha Berisha.

Top Channel