Shpëtim Gjika: Vlora njeh vetëm 28 Nëntorin

04/11/2012 00:00

I shoqëruar nga dy deputetët e Partisë Socialiste, Arben Isaraj dhe Eltar Deda, kreu i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, ka inspektuar punimet për rikonstruksionin e Sheshit të Flamurit, punime të cilat përfundojnë shumë shpejt.

Tashmë që qeveria ka publikuar kalendarin zyrtar të festimeve dhe që parashikon që festimet dhe darka të shtrohet në Vlorë në datën 27 Nëntor, Gjika thotë se nuk do të marrë pjesë pasi do të respektojë protokollin e shtetit.

“Ka një ndryshim të madh mes një axhende dhe Protokollit të Shtetit. Axhenda parashikon që festimet të mbahen në Vlorë në datën 27 Nëntor dhe unë nuk kam qenë dakord që në fillim me këtë gjë. Tani që është bërë fakt, unë theksoj se kryetari i Bashkisë Vlorë nuk do të jetë pjesë e festimeve atë ditë për arsye se e sheh veten të lidhur me datën 28 Nëntor”, shprehet Gjika.

Kreu i Bashkisë tregon edhe axhendën e datës 28 Nëntor në Vlorë, ku ndahet dhe ku bashkohet me atë të qeverisë: “Bashkia Vlorë parashikon më 28 Nëntor ceremoninë e rastit ku do të jetë i pranishëm edhe Presidenti i Republikës, vendosja e kurorës tek varri i Ismail Qemalit, ngritja e flamurit nga Presidenti i Republikës dhe përshëndetjet e rastit. Më pas ndahemi pasi Bashkia e Vlorës do të organizojë koncertin festiv në Pallatin e Sportit për të vazhduar me drekën zyrtare. Ndërkohë, qeveria ka programuar që të shkojmë në Tiranë për të bërë homazhe për 28 Nëntorin. Për ta përmbledhur, unë nuk do të jem tek axhenda e sajuar e qeverisë.”

Ndërkohë, në Sheshin e Flamurit përveç punimeve, po bëhen edhe prova nga grupe të ndryshme artistike.

Top Channel