Majko: Në Vlorë, në respekt të historisë

04/11/2012 00:00

Opozita do të jetë në Vlorë në 28 nëntor, jo për shkaqe konkurrence, por në respekt të protokollit të Historisë. Konfirmimi për Top Channel vjen nga deputeti socialist Pandeli Majko, pas publikimit të protokollit zyrtar nga Ministria e Kulturës, ku koncerti festiv dhe ftesat për trupin diplomatik në qytetin e Vlorës janë afruar në datën 27 nëntor.

“Në datën 28 ne do të jemi aty ku kanë qenë gjithmonë paraardhësit tanë. Nuk bëhet fjalë për një kërkesë të strukturave të Partisë Socialiste për konkurrencë me protokollin e qeverisë. Të gjithë e dinë kush është qyteti i Flamurit”, shprehet Majko.

“Debati është absurd, por aspak i lehtë për këdo”, thotë ish-kryeministri, pasi në këtë përvjetor duket qartë se jo vetëm është shmangur Vlora, por po tregohet edhe një mangësi e madhe, mosrespektimi i protokollit të shtetit.

“Kjo shkelje bëhet edhe më e rëndë në kuadër të këtij përvjetori të madh të 100 vjetorit shqiptar”, thotë Majko. Investimi i drejtpërdrejtë i kreut të qeverisë Sali Berisha në këtë debat edhe njëherë shpreh aftësinë e tij të madhe në krijimin e teknologjisë së krijimit të konflikteve: “Do ishte naivitet të mendoje se Sali Berisha është zogist apo që është më pro Tiranës se sa Vlorës. Ai është një politikan që përpiqet të krijojë dy palë dhe më pas bëhet zot i njërës palë. Deri më sot këtë gjë e ka bërë me shumë sukses.”

“Shkelja e protokollit nga PD-ja në qeverisje në këtë 100-vjetor të pavarësisë është vetëm ripërsëritje e të njëjtës histori në këto 7 vite me festën e Clirimit”, shton Majko.

“Nuk mund të ekzistojnë konkurrenca të tilla kaq idiote mes shqiptarësh që nxiten nga politikanë që mendojnë vetëm për zgjedhjet e ardshme. Mendoj se ky komb meriton ta dojë vendin e tij më shumë se sa politikanët”, thekson Majko.
 

Top Channel