Bamir Topi ka deklaruar në Berat se Lirak Bejko ishte një i persekutuar si në diktaturë edhe në tranzicion. Gjatë krijimit të degës së Frymës së Re Demokratike në Berat u mbajt një minutë heshtje për Bejkon.

Bamir Topi kritikoi dy forcat e mëdha politike duke thënë se, ne u ndamë nga PD dhe PS në momentin që tek ato pushoi së funksionuari demokracia.

Ish-presidenti i Republikës u shpreh se, kur kanë kaluar 22 vjet nga ndërrimi i sistemeve kemi ende probleme të rënda me demokracinë.

“Të dyja forcat vijnë pranë qytetarit vetëm në prag të fushatave. Kemi parë se si politikanët nënshtrohen si zvarranikë para ditës së zgjedhjes dhe pastaj marrin pozicionin e luanit, duke parë të tjerët me mospërfillje dhe duke ndryshuar sjelljen. Vërtet Shqipëria ka arritur progres në këto vite, por është e papranueshme që ende sot të kemi probleme të rënda me demokracinë”, deklaroi Topi.

Zoti Topi vlerësoi qytetin e Beratit duke kujtuar se si kryetar shteti pati përjetuar krenari kur iu desh të prezantonte këtë qytet historik.

“E kam pasur moment krenarie prezantimin e qytetit të Beratit në nivelet më të larta bilaterale, pasi duhet vlersuar historia. Unë e nisa me histori sepse është detyrim për çdo politikan të djëi dhe të vlersojë të kaluarën, por dhe të projektojë të ardhmen. Ne kemi ardhur me ketë qëllim, për të krijuar frymë të re demokratike, sepse nuk ishte thjesht iniciativë e disa themeluesve, por edhe si nevojë për të krijuar një forcë të re politike”, u shpreh Topi.

Një ditë më parë në Tiranë FRD bëri prezantimin e 19 drejtuesve të departamenteve të kësaj partie, ku ndër të tjera kërkoi ndjesë për kryeministrin Sali Berisha.

Top Channel