Nga Biblioteka Kombëtare, me çeljen e një ekspozite të rrallë e cila bën
bashkë 50 ekzemplarë unikë librash, broshurash apo dorëshkrimesh,
memorandumesh, thirrjesh apo protestash drejtuar Fuqive të Mëdha në
mbrojtje të çështjes shqiptare, nisin festimet e muajit nëntor të
jubileut të pavarësimit të vendit.

Janë ekzemplarë nga Lidhja e Prizrenit deri te Kongresi i Lushnjes, që në një sallë të Bibliotekës, formësojnë këtë periudhë kyçe në historinë e vendit.

“Shqiptarët kanë bërë shumë memorandume, por edhe të huajt për shqiptarët. Kam shpresë që të kemi edhe disa surpriza të njësive të rralla që do të mund të shohim së bashku”, thotë Aurel Plasari, drejtori i Bibliotekës Kombëtare.

Një përkujtesë e Dora d’Istrias lexuar në Shoqatën e Arkeologëve të Athinës në vitin 1869, faksimile të memorandumit të Pashko Vasës në frengjisht në qershorin e vitit 1878 apo memorandumi i Abdyl Frashërit dhe Mehmet Ali Vrionit, në cilësinë e delegatëve të Lidhjes së Prizrenit, drejtuar qeverive të Italisë, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Austrisë, nënshkruese të Traktatit të Berlinit të majit të vitit 1879, janë disa prej ekzemplarëve në këtë ekspozitë.

“Shuëm mbresëlënëse janë dokumentat e Lidhjes së Prizrenit, të cilët mishërojnë në mënyrën më të shkëlqyer idealin e bashkimit kombëtar, që do t’i frymëzojë ata në çdo kohë për bashkim, për zhvillim dhe horizonte të reja. Ftoj qytetarët të njihen me këto dokumenta themele të shtetit të tyre të sotëm, themele të përpjekjeve të tyre për liri dhe dinjitet kombëtar”, tha Kryeministri Sali Berisha.

E çelur këtë 2 nëntor, kjo ekspozitë do të qëndrojë e hapur përgjatë 10 ditëve në mjediset e Bibliotekës Kombëtare dhe kushdo mund të shohë këto ekzemplarë unikë memorandumesh të rëndësishme në historinë e shqiptarëve.

Top Channel