22 qershori i vitit 1991 është një datë historike për Shqipërinë, ndërsa
vendi nisi përpjekjet e para për të ngritur themelet e reformave
demokratike.

Ishin vite ende të paqarta për shqiptarët që lanë pas shpatullave diktaturën komuniste, kur James Addison Baker III, Sekretari amerikan i Shtetit në administratën e Bushit të vjetër, mbërriti në Tiranë. Ai u prit se nga më shumë se 300 mijë shqiptarë të mbledhur në sheshin “Skënderbej” dhe nga autoritetet e atëhershëm, Presidenti Ramiz Alia dhe Kryeministri Ylli Bufi.

Dhjetëra duar u përpoqen ta prekin, madje pati edhe nga ata që të dalë nga dëshpërimi puthën rrugën që përshkoi limuzina e tij. Për të gjithë që e jetuan këtë periudhë ajo nuk do të shlyhet kurrë, jo vetëm se u vendos guri historik i marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe sepse zëri pro-amerikan vinte i plotë dhe shpërthyes nga pusi i errët i diktaturës.

“Shqipëria të pret prej 50 vjetësh, zoti Baker”, apo “Shqipërisë i duhet një Plan Marshall”, kështu thërrisnin shqiptarët në vitin 1991. Përgjigja ishte: “Liria funksionon!”Ishte ky mesazhi i Sekretarit amerikan i Shtetit, i pari që vinte ndonjëherë në Shqipëri. Nuk ishte vetëm leksioni që jepte shteti i madh i demokracisë, por besimi që i duhet dhënë çdo fillestari për të hedhur hapat e parë. Amerika është me ju, u tha ai deputetëve në parlamentin e atëhershëm.

Ja si e përshkruan Baker pritjen në Shqipëri, gjatë një ceremonie diplomimi në një universitet në Texas, më 15 maj 2004.

“Ishte një moment prekës për mua, por dhe edukues, sepse në Shqipëri dhe në vende të tjera të Europës Lindore pashë se ëndrra amerikane ishte një ëndërr universale, se njerëzit kudo kërkojnë një mundësi për të rritur fëmijët e tyre, t’i besojnë Zotit dhe të ndërtojnë jetë më të mirë për veten, me vlerat e tyre, jo të planifikuesve qëndrore apo policëve sekretë cnjerëzore”.

Çdo vizitë e ardhshme e zyrtarëve të lartë amerikane nuk do të bënte gjë tjetër, veçse do të çimentonte marrëdhenien mes SHBA-ve dhe Shqipërisë, sic ndodhi me ardhjen e sekretares amerikane të Shtetit Madeleine Albright , më 19 shkurt të vitit 2000, udhëtimi i parë në Shqipëri prej fundit të sulmeve ajrore të NATO-s kundër Serbisë, në qershor të vitit 1999. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit asokohe tha se gjatë vizitës së saj në Shqipëri Albright  do të njihte dhe vlerësonte rolin e shqiptarëve gjatë krizës së Kosovës, veçanërisht për strehimin e  refugjatëve kosovarë që mbërritën në Shqipëri.

Ajo u prit nga presidenti Rexhep Meidani dhe Kryeministri Ilir Meta. Madeleine Albright  njihej si nismëtarja e zgjidhjes së çështjes së Kosovës në administratën e Bill Clinton, aq sa kritikët e kishin pagëzuar Kosovën si lufta e Madeleine , duke e lidhur këtë me të shkuarën e saj. E lindur ne Çekosllovaki, Madeleine Albright  kishte mundur t’i shpëtonte dyfish nazizmit dhe stalinizmit. Sekretarja amerikane kërkoi në Tiranë që shqiptarët të ndikonin për të ndihmuar dhe përkrahur popullin e Kosovës, me shpresën që ata të drejtohen nga toleranca dhe paralajmëroi çdo përpjekje për krijimin e Shqipërisë së Madhe apo Serbisë së Madhe.

Tre vite më vonë në Tiranë do të vendosej gurthemeli për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Hapi i parë drejt këtij qëllimi ishte nënshkrimi i Kartës së Adriatikut që solli në Tiranë më 2 maj të vitit 2003, sekretarin amerikan të Shtetit Colin Powell, i cili bashkë me ministrat e Jashtëm të Shqipërisë, Maqedonisë  dhe Kroacisë nënshkruan Kartën e Adriatikut. Gjashtë vite më vonë në 7 prill të vitit 2009, Shqipëria dhe Kroacia do të ishin anëtare të NATO-s, ndërsa Maqedonia për ta arritur këtë duhet të zgjidhë çështjen e emrit me Greqinë.

Gjatë takimit në Tiranë me presidentin Alfred Moisiu dhe kryeministrin Fatos Nano, Powell falenderoi rolin e Shqipërisë në Irak.

“Kam dashur gjithnjë ta vizitoj Shqipërinë, duke patur në konsideratë ndjenjën e vjetër të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe përpjekjet e Shqipërisë për të mbështetur politikën amerikane dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara”, tha Powell.

Po ajo që shënoi kulmin në historinë 21-vjeçare të marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-ve dhe Shqipërisë ishte vizita e presidentit George ë Bush me 10 qershor të vitit 2007, e para e një Presidenti amerikan në Shqipëri.

Pamjet e qytetarëve të Fushë-Krujës, në përpjekje për të prekur apo përqafuar presidentin e SHBA-ve bënë xhiron e botës. Mediat prestigjioze të të gjithë globit e cilësuan si mikpritja e një heroi. Në Tiranë, Bush i hapi një dritare të madhe të ardhmes së Kosovës, vend që do të shpallte pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008.

Top Channel