Flamujt më të hershëm shqiptarë

01/11/2012 18:55

Flamurjt më të rrallë dhe të hershëm të shtetit shqiptar u vendosën ditën e enjte në qendër të vëmendjes së “Pasdites” në “Top-Channel”.

“Në fondet etnografike të Qendrës së Studimeve Albanologjike kemi plot 16 flamuj të cilët i konservojmë. Por, me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë, është eksluziviteti i “Top-Channel” për të pasur të gjithë këto flamuj”, nisi intervistën e saj për emisionin e “Pasdites”, Ariola Prifti, përgjegjëse e fondeve etnografike.

“Për nga koha dhe vjetërsia e tyre, radhiten që nga viti 1881, që është flamuri i Plavës dhe i Gucisë, që është në një gjendje të keqe. Flamujtë e tjerë janë të ruajtur disi më mirë. Një flamur tjetër është ai i shoqërisë Drita, i vitit 1884. Është një flamur që ne po përpiqemi ta identifikojmë, së bashku me ekspertë, por mendohet të jetë flamuri i Aladro Kastriotit”.

Duke vazhduar rrëfimin e saj mbi flamujt më të hershëm shqiptarë të ruajtur, Prifti shtoi: “Flamurë të tjerë, mendoj se lidhen me figurën qendrore të pavarësisë, që është Ismail Qemali. Është flamuri që është përdorur në varrimin e tij në vitin 1919 dhe në rivarimin në 1932-shin, në Vlorë. Një flamur tjetër i rëndësishëm ëshët flamuri i përdorur në vitin 1913, në qeverinë e Vlorës, me rastin e 1-vjetorit të pavarësisë. Flamuri i radhës është ai i Princ Vidit, i vitit 1914, i cili po restaurohet. Flamuri i Vatrës, i vitit 1918, flamuri i Shoqërisë së Stambollit i vitit 1919, janë gjithashtu pjesë e arkivit. Flamuj të tjerë janë ai që u përdor në çlirimin e Vlorës së vitit 1920, në proces restaurimi, ai i Kongresit të Lushnjes, pesë flamuj të ushtrisë shqiptare, që janë të batalioneve të ndryshme në vitin 1927. Flamuri i fundit është ai i Gjindarmërisë Kosova, gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Top Channel