Bujqësia ka hyrë në një cikël të mbyllur që nga viti në vit po njeh vetëm humbje. Fermerë dhe bujq në zonën e Lezhës, me të cilët është takuar kryetari i opozitës Edi Rama, thanë se të paktën tre vitet e fundit prodhimet e tyre nuk po arrijnë të sjellin fitim, por vetëm humbje.

Rama është ndalur fillimisht në një fermë lopësh në Balldre të Lezhës. Me lekët e fëmijëve emigrantë, pronari i kësaj ferme investoi për stallën dhe 70 viça. Por sot ai ka mbetur vetëm me 5 lopë.

“Kemi falimentuar me qumështin, nafta na ka grirë krejt, koston e kemi dhënë më lirë sesa e kemi prodhuar. Prej 20 vjetësh nuk është bërë punë me kanalet e kullimit. Jemi në gjendje shumë të keqe”, ka thënë fermeri.

Kostot e rritura të çmimeve të lëndëve të para, si nafta, farërat dhe mungesa e sistemit të ujitjes dhe kullimit, sjellin edhe rritje të kostos së prodhimit, thonë fermerët edhe në një tjetër zonë bujqësore në Lezhë, ku kanë vijuar takimet e kreut të opozitës, i shoqëruar nga deputeti i zonës Gjovalin Kadeli dhe anëtari i grupit të punës për programin Agron Duka.

“Ç’të bëjmë, nuk ja vlen të vazhdosh me këtë punë. Të gjitha kanë falimentuar. Kemi dashur të punojmë, kemi pasur vullnet të madh, por me këtë gjendje na ka ikur vullneti të gjithëve”, ka thënë fermeri.

Takimet e kreut të PS-së janë zhvendosur në një fermë gjelash deti në Mape të Lezhës. Mungesa e ndihmës së shtetit në kushtet e kostos së lartë të prodhimit dhe rënies drastike të fuqisë blerëse prej së cilës fermerët thonë se po falimentojnë, për kreun e opozitës kërkon një qasje të re të politikës ndaj bujqësisë, për të cilën ai tha se PS në qeverisje do të ndërmarrë masa të menjëhershme për uljen e kostove të prodhimit.

“Është i gjithë cikli i bllokuar, se ata që ju japin ju e prodhojnë me kosto shumë të lartë për shkak të naftës, ju e merrni me çmime shumë të larta dhe nuk zhvilloheni, por mbijetoni. Është e domosdoshme të ndërrohet 100 për qind politikë në mënyrë që të ulen kostot. Pa ulur kostot, pa hequr akcizën e naftës, TVSH-në e naftës, taksën e qarkullimit të naftës, pa ulur farërat të paktën 10% dhe pa i dhënë një shtytje direkte çdo blegtori, jo duke thënë që mbështesim vetëm ata që kanë më shumë krerë, por duke filluar nga mbështetja e gjithsekujt që merr përsipër këtë punë. Ky është falimentimi ekonomik i gjithë familjeve në fshat, është edhe falimentimi i ekonomisë komëbtare që pa pasur mbështetjen të fortë në fshat nuk ka asnjë mundësi”, ka deklaruar Rama.

Për kryetarin e opozitës, është e patolerueshme që një vend si i yni, me të tëra mundësitë për zhvillimin bujqësor dhe blegtoral, të ketë raportin 1 me 10, mes eksportit dhe importit në favor të këtij të fundit.

Ky raport, tha Rama, duhet dhe do të ndryshojë përmes programit për një rilindje edhe të bujqësisë vendase që PS do të zbatojë sapo të vijë në pushtet.

Top Channel