Me pjesëmarrjen e fermerëve, blegtorëve dhe ekspertëve të bujqësisë, në forumin që opozita mbajti në qytetin e Lushnjes, kryetari Edi Rama ka sqaruar vizionin e PS për rilindjen e bujqësisë.

“Ne kemi marrë një angazhim, një analizë të gjendjes financiare, që brenda mandatit të parë qeverisës t’i hapim rrugë rilindjes së fshatit, duke rregulluar gjithë territorin e tokës bujqësore”, deklaroi Rama.

Përpos këtyre premtimeve kontrete, kreu i opozitës tha se kapitulli i bujqësisë në programin e opozitës për Rilindjen Shqiptare, e diskutuar dhe analizuar nga ekspertë të këtij sektori, dallon për unanimitetin e mendimit të tyre më një pikë.

“Tek domosdoshmëria për të hequr akcizën e naftës, TVSH-në mbi naftën dhe taksën e qarkullimit për naftën kur ajo shkon tek fermeri, me qëllim uljen e kostove të prodhimit. Nga ana tjetër, neve na duhet të ulim TVSH-në mbi farat me 10 për qind”, saktësoi Rama.

Rama riktheksoi vendosmërinë e PS në hartimin e hartës së bujqësisë. Harta e prodhimit, siç saktësohet në programin e opozitës, do vijë në ndihmë të fermerëve jo vetëm me inventarizimin e të mbjellave të tyre, por edhe për konkurrencën, për te mbrojtur prodhimin vendas përballë atij rajonal dhe europian të bujqësisë.

Kjo hartë, tha Rama, do të jetë një plan i mirëhartuar, që do të përmbledhë një sintezë të analizës shkencore por edhe ekperiencës, duke fajësuar qeverinë se deri tani ka ndjekur politiken “kuturu” të zhvillimit bujqësor.

“Do të jetë rezultat i një politike të përcaktuar jo mbi ëndrrat që sheh kryeministri natën dhe i tregon ditën në mbledhjen e qeverisë, por mbi këtë analizë”, theksoi Rama.

Rama tha se ky vizion i qartë i opozitës për mënyrën sesi qeveris, bën dallimin me palën tjetër. “Programi i tyre bazohet në politikën ‘secili për vete, Zoti për të gjithë’, i joni bazohet tek politika ‘secili për vete, shteti garant i të gjithëve’”, shtoi Rama.

Top Channel