Një “Pasdite” me Luftar Pajën

26/10/2012 00:00

Luftar Paja ishte i ftuari i radhës në studion e emisionit ‘Pasdite në Top Channel’, ku foli për jetën e tij dhe zbuloi se gjithmonë është kritik ndaj djalit, Gazmend Pajës, i cili është i famshëm për publikun shqiptar si një nga aktorët e spektaklit “Portokalli”.

Aktori 71-vjeçar tregoi fillimisht origjinën e emrit të tij: “Linda në kohë lufte (1941) dhe për këtë arsye ma vunë emrin Luftar. Nëna ime nuk më ka lindur në maternitet si këto femrat e sotme që kërkojnë salltanete. Ka lindur plot 10 fëmijë në kushte shtëpie.”

Më tej, Luftar Paja tregon disa ndodhi nga fëmijëria: “Fëmijërinë e kam kaluar në Patos, ku për herë të parë kam shkuar në kinema. Operatori i kinemasë na fuste fshehurazi ne fëmijëve dhe na vinte kaseta me filma sovjetikë. Aty lindi pasioni im për filmat.”

Duke folur për kinematografinë shqiptare, aktori i cili ka qenë aktiv para dhe pas viteve ’90 mendon se puna më cilësore është bërë në kohën e regjimit komunist: “Duke përjashtuar politizimet dhe propagandën e kohës, puna më e madhe me kinemanë dhe artin në përgjithësi është bërë para viteve ‘90. Nuk mund të mohosh punën e madhe që është bërë në ato kohë.”

Luftari, i cili një nga djemtë e tij e ka është anëtar i trupës së “Portokallisë”, shprehet: “Unë të dy djemtë, Sokolin dhe Gazmendin, i kam aktivizuar që të vegjël, por vetëm njëri prej tyre i pati mundësitë për tu bërë aktor. Gazi gjithashtu e kishte me më shumë pasion.”

“Artisti nuk duhet kënaqur kurrë me veten e tij dhe unë jam kritik me djalin tim”, shton Luftari, deklaratë që mbështetet edhe nga vetë Gazi, i pranishëm në studio.

“Babai më jep këshilla para shfaqjes dhe pas shfaqjes kurrë nuk më thotë “TË LUMTË”. Babai është një njeri shumë serioz edhe pse mund të duket e çuditshme. Është ndryshe nga personi i skenës”, tregon Gazi.

Top Channel