Ekspozita e piktorit fierak

25/10/2012 01:14

Plot ngjyra dhe gjallëri, por edhe një lloj tisi i mistershëm që përcjellin nëpërmjet artit një mesazh të fshehur.

Këto janë disa përjetime, teksa shikon veprat e Shkëlqim Meçajt, artistit fierak, i cili ka çelur mbrëmjen e së mërkurës në mjediset e Muzeut Historik kombëtar një ekspozitë personale, ku shpalosen veprat më të mira të krijimtarisë së tij 20-vjeçare.

“Për mua, piktura dhe skulptura janë pjesë e shpirtit, nuk janë teori matematike që mund të zgjidhen nëpërmjet formulave. Edhe unë kështu kam funksionuar nëpërmjet shpirtit, kam dhënë atë, e kam orientuar drejt asaj që më pëlqen më shumë, drejt vendlindjes time, dhe jam munduar që nëpërmjet kësaj ekspozite të sjell një lloj ndërthurjeje midis të shkuarës pellazge të shqiptarëve dhe të sotmes europiane apo moderne, nëse mund ta quajmë kështu”, u shpreh piktori dhe skulptori Meçaj.

Ekspozita përmban mbi 65 punime, shumica të paekspozuara më parë. Autori ka përdorur një sërë mediumesh, si vaj në kanavace, skulptura në gur e në dru. Përmes krijimeve, piktori sjell te shkuarën e kombit shqiptar duke portretizuar disa figura të njohura, si Mbreti pellazg Kreshtan.

Veprat e ekspozuara janë përzgjedhur nga kuratori i ekspozitës, kritiku Abdulla Tafa, i cili i ka përshkruar ato si një ndërthurje e stilit abstrakt postmodernist me atë surreal. Tafa ka theksuar se krijimet e Meçajt  ruajnë origjinalitetin dhe janë një kërkim i autorit drejt legjendave e personazheve të së shkuarës shqiptare.

Top Channel