Xhaçka në krye të grave të PS

20/10/2012 00:00

PS mesditën e së shtunës thirri kongresin e Forumit të Gruas Socialiste, nga ku do të zgjidhen strukturat drejtuese, me qëllim fuqizimin e këtij forumi, për t’u përfshirë në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2013.

Fjalën përshëndetëse kreu i PS Edi Rama e nisi me një ekspoze të gjendjes ekonomike në vend, për të cilën tha se shqiptarët po bërballen gjithnjë e më shumë me ankthin e mbijetesës.

“Shifrat, edhe ato të falsifikuara nga qeveria, tregojnë se varfëria është rritur. Familjet me ndihmë kanë mbërritur 100 mijë, shifra më e lartë e 5 viteve të fundit. Bëhet fjalë për 440 mijë njerëz të vendit që rropaten rrugëve të varfërisë në kërkim të ushqimit deri në fund të muajit. Janë 265 milionë euro që mungojnë nga kontributi i emigrantëve në xhepat e shqiptarëve. Është një humbje që ka ulur fuqinë e familjeve për të blerë mbijetesën. Është misioni ynë t’u ngremë kokën njerëzve të zakonshëm”, deklaroi Rama.

Rama shpjegoi rëndësinë që merr përçimi tek çdo shqiptar i programit për një Rilindje Shqiptare. “Ne jemi udhërrëfyesi për një ekonomi të re, demokraci të re, zhvillime të reja dhe një integrim në Evropë. Nuk më shqetësojnë cinikët, por nevoja e ngutshme për ta çuar mesazhin tonë tek çdo vesh i shqitparëve”, theksoi Rama.

Kreu i opozitës kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e grave socialiste gjatë fushatës elektorale. “Programi vetëm nuk mjafton për ta bërë të besueshëm Rilindjen Shqiptare. Këtu duheni ju, duhet mbështetja juaj, energji pozitive, duke thënë se politika mund të bëhej më mirë nëse njerëzit e mirë nuk e lënë fatin në duart e këqija, por e marrin vetë në dorë”, shtoi Rama.

Delegatët në kongres votuan Olta Xhaçkën si kryetaren e re të Forumit të Gruas Socialiste.

Top Channel